Situatë kritike në Greqi, pritet miratimi i planit të kursimeve

Greqia përballet me një situatë të vështirë ndërkohë që orë vendimtare e presin. Qeveria greke këtë javë përballet me dy sprova të mëdha: aprovimin e planit afatmesëm të kursimeve të rrepta dhe i ligjit zbatues, që do t`i hapin rrugën kreditimit të mëtejshëm të vendit të kërcënuar nga falimentimi. Ndërkaq vijon ende greva e pergjithshme në mbarë vendin. Për qeverinë e saporeformuar të socialistëve grekë dhe kreut të tyre Papandreu pritet të kalojë në parlament paketa shtesë e kursimeve prej 28 miliardë eurosh e planit afatmesëm 2012-2015, diskutimi i të cilit filloi të hënën pasdite në seancën plenare. “Votimi përbën shansin e vetëm që ka vendi ynë për t`u rimëkëmbur” tha kryeministri Papandreu duke bërë fjalë për “detyrë patriotike”. Ndërsa ministri i Financave Venizellos nuk e fshehu edhe një herë se masat janë “të ashpra dhe në një masë të madhe të padrejta”, por ato ndërmerren sepse janë të nevojshme për realitetin dhe rreziqet për qytetarin e thjeshtë dhe nivelin e jetesës së vendit në përgjithësi. 22 taksa të reja do të rëndojnë mbi shpatullat e qytetarëve që nga kjo javë, përmes të cilave qeveria do të marrë nga xhepi i një familjeje mesatare rreth 3.000 euro të tjera në vit. Rrogëtarët e vegjël do të rëndohen me 400 euro taksë në vit, kurse pensionistët do të paguajnë 5 “taksa solidariteti”. Të rinjtë do të paguhen me 20% më pak për punën e tyre, pijet freskuese do të kenë TVSH 23% (nga 13% deri tani) dhe të gjithë taksapaguesit me të ardhura vjetore mbi 12.000 euro do të paguajnë një “haraç” solidariteti të përshkallëzuar nga 1 deri 4 % për katër vjet. Këto masa ndërmren në një kohë që e gjithë shoqëria greke duket e shokuar dhe në një pjesë të saj të madhe është nëpër rrugë dhe nëpër sheshet e revoltës,kur ka filluar greva e përbashkët 48-orëshe e sindikatave të sektorit publik dhe privat me kërkesën që të mos kalojnë masat e planit afatmesëm. Është hera e parë në historinë e sindikalizmit grek që zhvillohet një grevë e tillë dyditëshe e përbashkët.Opinioni dominues është se plani afatmesëm është shoqërisht i padrejtë dhe ekonomikisht i paefektshëm, pasi thellon dhe më tej recesionin.