E Diel, 1 Nëntor 2026

Situatë kritike në Mat, zjarri në Lundre të Ulzës del jashtë kontrollit, nis ndërhyrja nga ajri

Një vatër e madhe zjarri duket se ka dalë jashtë kontrollit në fshatin Lundre të Njësisë Administrative Ulëz, në Bashkinë e Matit. Favorizuar nga era e fortë dhe thatësira e tejzgjatur, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore e me vegjetacion.

Prej disa orësh, në terren po zhvillohet një betejë e vështirë nga toka. Ekipet e shërbimit zjarrfikës, punonjësit e shërbimit pyjor dhe dhjetëra banorë të zonës po punojnë pa ndërprerje, por terreni i thyer dhe kushtet e vështira atmosferike e kanë bërë të pamundur izolimin e vatrës me mjete rrethanore e hidrike tokësore.

Për shkak të përkeqësimit të shpejtë të situatës, në ndihmë të ekipeve tokësore ka ndërhyrë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile me një helikopter nga ajri. Mjeti ajror po shfrytëzon afërsinë gjeografike me liqenin e Shkopetit për furnizim të shpejtë me ujë, në përpjekje për të ulur intensitetin e flakëve.

Autoritetet vendore të Bashkisë Mat raportojnë se situata po përkeqësohet nga minuta në minutë dhe i kanë bërë thirrje urgjente strukturave qendrore për rritjen e mbështetjes nga ajri me mjete shtesë, për të parandaluar depërtimin e zjarrit drejt zonave të banuara.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›