E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Sizmologët: Ndërtesat në Shqipëri të projektohen për të përballuar tërmete deri në 8 ballë

Sizmologët kanë kërkuar që ndërtesat e reja në vend të projektohen për të përballuar tërmete deri në 8 ballë. Sizmologu Edmond Dushi kërkoi që në fushën e projektimit dhe ndërtimit të merret parasysh harta e re sizmike, që u ndërtua pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit të vitit 2019.

“Ndërtimet sipas hartës së re sizmike do të jenë më të sigurta. Këtu bëhet fjalë për tërmetet që janë mbi 8 ballë, këto janë tërmetet shkatërruese për territorin e Shqipërisë. Në tërë botën, hartat e rrezikut sizmik janë harta që i shërbejnë kryesisht fushës së projektimit dhe ndërtimit, ndaj mendojmë që kjo të jetë pjesa bazale e një plani sizmik modern që duhet të ketë Shqipëria”, u shpreh Dushi.

Sizmologu Llambro Duni theksoi se është emergjente rritja e kontrollit mbi procesin e ndërtimit.

“Kur flasim për procesin e ndërtimit, është shumë i rëndësishëm si projektimi ashtu edhe zbatimi. Unë mendoj se inxhinierët tanë e bëjnë detyrën e tyre. Nuk ka inxhinier në Shqipëri i cili mund të projektojë jashtë atyre kërkesave dhe standardeve që kërkohen. Mendoj që është imediate që ne të rrisim kontrollin mbi procesin e ndërtimit”, tha Duni.

Tërmet tragjik i 26 nëntorit i mori jetën 51 personave dhe mbi 3,000 vetë u plagosën. Për nga shkalla e magnitudës, ai ishte tërmeti më i madh që ka goditur Shqipërinë në më shumë se dyzet vjet.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›