S`ka aktakuzë për rastin e Ministrisë
Ish-Ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, shumë shpejt pritet t`i konfirmohet se EULEX’i nuk ka gjetur prova të mjaftueshme për ta akuzuar për korrupsion sa ka qenë pjesë e qeverisë.
Koha për të hetuar Limajn përfundon më 24 prill të këtij viti dhe EULEX’i ka dhënë shenjat e para se nuk do të ngrihet as aktakuzë ndaj nënkryetarit të PDK’së.
Express ka pyetur EULEX’in nëse Limajt do t`i ngrihet aktakuzë apo rasti do të shkojë drejt mbylljes.
Misioni i BE’së nuk ka dhënë përgjigje të saktë me arsyetimin se nuk komentojnë rastet që janë duke u hetuar.
Por, e kanë lënë mundësinë të hapur për të ngritur aktakuzë edhe pas afatit ligjor prej dy vitesh, sa mund të zgjasë një procedurë hetimore ndaj një personi të dyshuar.
“Megjithatë, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, koha e përcaktuar prej 24 muajsh ju referohet vetëm marrëveshjeve të "veprimeve hetimore" nga prokurori apo polici gjyqësor. Paraqitja e një aktakuze apo një rast shkarkimi është e mundur edhe pas afatit prej 24 muajsh”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Bardha Azari, zyrtare për media dhe çështje të drejtësisë në EULEX.
Por, mbrojta e Limajt ka thënë se Misioni i BE’së për Sundimin e Ligjit në Kosovë ka vetëm dy opsione ligjore ose do të pushojë hetimin ose të ngrihet aktakuzë.
Ndryshe, burime të Express brenda EULEX’it kanë konfirmuar se tashmë rasti i Limajt po shkon drejt fundit në mungesë të fakteve relevante.
“Po shikohet mundësia të mbyllet rasti i Limajt, që ka të bëjë me rastin e Ministrisë së Transportit për shkak se nuk kemi fakte që mund të merren për bazë nga gjykata me rastin e konfirmimit të aktakuzës”, ka thënë një zyrtar i EULEX’it.
Sipas tij, EULEX’i nuk dëshiron të shkojë në gjykatë dhe të mos i konfirmohet aktakuza.
“Misioni i BE’së do ngritë aktakuzë dhe do të shkojë në gjykatë vetëm nëse prokurorët janë të sigurt se do të konfirmohet aktakuza eventuale”, ka shtuar ai.
Më 28 prill të vitit 2012 mbushen dy vite prejse EULEX’i bastisi Ministrinë e Transportit dhe pronat e Fatmir Limajt nën dyshimin për korrupsion.
Bashkë me Limajn është bastisur edhe ish-sekretari i Ministrisë së Transportit, Nexhat Krasniqi.
Ky aksion ishte ndërmarrë pak kohë para se Brukseli të vendoste për mandatin shtesë të EULEX’it në Kosovë.
Bastisjet në Ministrinë e Transportit ishin cilësuar nga mbrojtësit e Limajt si spektakle mediale që janë bërë pa u mbështetur në fakte dhe argumente.
“Qëndrimi i mbrojtjes është gjithmonë se klienti im është i pafajshëm, por mbetet nga rezultati i hetimit dhe vlerësimi i prokurorit”, ka thënë Tahir Rrecaj, në tetor të vitit të kaluar kur Limaj është marrë në pyetje për herë të dytë në lidhje me punën në Ministri.
Aktualisht Nënkryetari i PDK’së, Fatmir Limaj është duke u përballur me një procedurë gjyqësore nën dyshimin për lufte në rastin “Kleçka”.