E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi takohet me sekretarin amerikan të tregtisë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është takuar me Sekretarin e Departamentit për Tregti të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Bryson, për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim të mëtejmë në mes dy shteteve në fushën e zhvillimit të sektorit privat.

Në këtë takim, kryeministri i Republikës së Kosovës falënderoi Brysonin për ndihmën që Departamenti i Tregtisë është duke i dhënë Kosovës në kompletimin e infrastrukturës ligjore në fushën e tregtisë dhe ndihmën për Agjencionin Kosovar për Promovimin e Investimeve, njofton zyra për informim e Kryeministrit.

Gjithashtu, Kryeministri Thaçi e informoi Brysonin për politikat ekonomike të Qeverisë së Republikës së Kosovës në funksion të fuqizimit të sektorit privat, politika këto që fokusohen në përmirësimin e infrastrukturës ligjore dhe asaj fizike.

Kryeministri Thaçi e njoftoi Sekretarin e Departamentit për Tregti të Shteteve të Bashkuara për mundësitë e ndryshme që ofron ekonomia e Kosovës për investime dhe e ftoi për bashkëpunim të mëtejmë në nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Sekretari Bryson i konfirmoi kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi vazhdimin e projekteve ekzistuese në fushën e infrastrukturës ligjore dhe të promovimit të investimeve.

Po ashtu, ai konfirmoi angazhimin dhe mbështetjen e Departamentit të Tregtisë për projekte të reja për nxitjen e investimeve amerikane në Kosovë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›