S’ka kolegj që e bën Ramën të gjejë karar

Pasi u mendua për 15 orë, Edi Rama e ndan mendjen se do të pranojë asnjë numërim votash që s’e nxjerr fitues. Juristëve socialistë iu desh pak kohë për të kuptuar se Kolegji kishte kërkuar të numëronte votën e çdo tiranasi, por menjëherë pas këtij leximi ka dalë protesta zyrtare e PS-së, pasi është marrë vesh se s’ka kolegj që e bën Ramën të gjejë karar
I janë nxjerrë petët lakrorit. Edi Rama duroi rreth 15 orë, por pastaj e ndau mendjen dhe vendosi të mos njohë asnjë vendim që çon në numërimin e të gjitha votave kryeqytetase, por veç të pranojë atë “+10”-n parapake.
Pas vendimit të Kolegjit Zgjedhor, që la në fuqi numërimin që e nxjerr Lulzim Bashën 81 vota përpara rivalit të tij, Edi Rama, në një dalje për mediat, deklaroi se dje nuk u mor drejtësia e kërkuar e sido që të shkonte rinumërimi i dytë, ai s’kishte për të pranuar asnjë rezultat që s’e nxirrte atë fitues. Sipas tij, me vendimin e Kolegjit, “procesi është rikthyer në tavolinën e kanibalizmit elektoral, aty ku u grabit fitorja jonë në sy të të gjithëve, ku u prodhua tabela e turpshme e një rezultati jo vetëm me më shumë vota se sa zgjedhës, por dhe me më shumë vota se sa tërësia e fletëve të votimit të gjetura në kuti”.
Kështu e cilësoi të gjithë procedurën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Edi Rama, duke e stigmatizuar Kolegjin Zgjedhor, i cili sipas tij, nuk arriti të shohë të vërtetën, por mbylli plotësisht sytë përpara rezultatit të këtij institucioni.
Sigurisht, Edi Rama, nuk harroi dje edhe gjuhën e kërcënimeve, duke paralajmëruar “aksion politik”, në funksion të mos humbjes së karriges së tij të kryebashkiakut, por duket sheshit se s’ka vendim kolegji që e gjen kararin e Edvinit të Kristaqit. Veç një javë më përpara, në një konferencë për shtyp, ai pat thënë se gjetja e votave të hedhura në kutitë e gabuara, s’mund të mbështetej, pasi s’ishin hapur të gjitha kutitë, kurse pas vendimit të Kolegjit, del se synimi i vërtetë s’ka qenë barazia e votës, por moslejimi i saj. Tashmë jemi në një situatë të pakthyeshme, kur s’shmanget dot numërimi i çdo vote, por prej këndej edhe kuptojmë se është e vështirë gjetja e një ekuilibri që do të sjellë qetësinë në politikën shqiptare, pasi Edvinit s’ka vendim Kolegji që ia gjen kararin.