E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në vend të gjykojë drejtësia Ramën, kërcënon Rama drejtësinë

15-06-2011 / Nga Luan Myftiu

“Mos harxhoni kohë me kundërshtarë të padenjë” - Pastër

Çdo burrë shteti lypset t’i inkurajojë gjyqtarët, që ata të japin drejtësí sa më të paanshme. Kush e paragjykon pushtetin e saj, lakmon ta nënshtrojë. Ata që duan fitimin e padrejtë, kërcënojnë Drejtësínë, kur kjo u bëhet pengesë. Diktatura e kishte garantuar njëanshmërínë e gjykatave. Gjyqet për të ishin vetëm arena propagande, ku kultivohej terrori nëpërmjet nëpërkëmbjes skandaloze së drejtësísë. Shprehja e asaj kohe “Hidhe në gjyq!”, ishte tallja më cinike e çdo të drejte qytetare. Se, në diktaturë as që mund të bëhej fjalë për drejtësí. A nuk e vërtetojnë këtë dhjetëra mijë viktima, dënuar me akuza të paqena, pa fakte e prova, a me pohime të nxjerra me “daják”?...
Para Drejtësísë demokratíke të gjithë janë të barabartë. Prandaj dhe ndërkombëtarët rekomandojnë respektimin e vendimeve të saj. Aty ku nuk dëgjohet drejtësía, lind anarkia dhe përgatiten kushtet për diktatura. Vetëm duke qenë e pavarur, Drejtësía mban ekuilibrin e shoqërísë, krijon klimën e harmonisë sociale dhe pengon çdo formë autoritarizmi. Askush nuk duhet t’u imponohet gjykatave. Aq më pak Rama, që e ka zgjedhur vetë Kolegjin Zgjedhor, si organin e epërm të vlerësímit të çdo procesi zgjedhor. Mirëpo Rama nuk i njeh detyrimet që ka edhe ndaj atyre, që vetë u ka dhënë atributet e arbitrit! Sepse, për Ramën sistemi i “dajákut” nuk ka ndryshuar. Si hipokrit, ai pranon vetëm metamorfozën e së drejtës, që i shërben ambicieve të tij. Kurse kontratën sociale demokratike Rama e përfytyron vetëm si një allishverish midis tij dhe institucioneve. Kush e pengon në rrugën drejt pushtetit të pamerituar, ai e mallkon duke i ngarkuar madjé dhe akuza të frikshme. Rama arrin të kërcënojë me përgjegjësí të larta historíke gjithë ata gjyqtarët, që nuk japin drejtësínë që i pëlqen Atij. Të gjithë instancat e larta të Drejtësísë akuzohen prej tij për “kanibalizëm zgjedhor”, nëse vlerësojnë si të shenjtë votën e çdo qytetari. Madjé, edhe kur vullneti i qytetarit është shprehur qartazi në të.
Rama, pra, paraqitet si kryebashkiaku, që qëndron mbi institucionet e shtetit, mbi mazhorancën e qeverínë, mbi Kodet dhe Kushtetutën. Dhe vetëm kur e sheh që ka dështuar pa shpresë shpëtími, tenton të shtyjë afatin e disfatës, duke pranuar konsultën e një autoriteti siç është Komisioni i Venecias. Kërkon, pra, kështu të shpëtojë ç’mund të shpëtohet, pa vrarë mendjen se sa poshtë e ul imazhin e vendit, aftësínë e tij për të gjykuar abc-në e parimeve universale, siç është numërími i çdo vote të vlefshme! Se Ramës nuk i duhet emri i mirë i Shqipërísë në botë; nuk i hyn në punë opinioni i Europës për t’i dhënë Shqipërísë statusin e vendit kandidat të BE-së. Përkundrazi! Rama e çmon si një rast të vyer mundësínë e ankesës së tij të pabazë, krijimin e opinionit se sa prapa qëndron vendi i tij për t’u pranuar në familjen europiane. Dhe kjo nuk është vetëm një “hakmarrje” e thjeshtë për pushtet personal; nuk është lartësim i vetes duke poshtëruar kundërshtarin; as mohim i qëllimshëm i “kauzave” të tij! Jo! Ky Edvin Ramë, që ka privatizuar PS-në dhe mendon se ka marrë peng Shqipërínë, duke kërcënuar vendimet e Kolegjit Zgjedhor, po tenton të mohojë vetë sistemin, që të qëndrojë me çdo kusht në krye të partisë dhe t’i hipë në zverk elektoratit të vet. Kjo megalomani e çmendur dhe kjo arrogancë enveriste nuk mund të jenë veçse atributet e një pinjolli të devotshëm të asaj diktature, që izoloi, masakroi dhe talli me dekada një popull të etur për lirí e drejtësí të vërtetë! 
Por Rama nuk është një e keqe e nevojshme. Nuk po dëmton vetëm PS-në. Ai po bëhet çdo ditë e më i padurueshëm për gjithë shqiptarët. Ai po mohon vlerat e PS-së, duke përjashtuar të gjithë ata që kanë kontribute, vetën që t’u bëjë  qejfin puthadorëve. Se, kur tirani ndihet i vetmuar, fillon të qëmtojë sa më shumë servílë. Kur kryebashkiaku humbet mundësínë e blerjes së mbështetësve, nuk i sheh rreziqet, që i krijon vetes dhe vendit duke kërcënuar drejtësínë, shpëtimtaren e anarkisë dhe amullisë sociale. Demokracía nuk pengon kënd të kundërshtojë. Përkundrazi! Ajo nuk e duron konformitetin as me veten e saj. Për të kontestími i një vendími do të thotë kërkim i së vërtetës, ndihmë me argumente për zbulimin e thelbit të saj universal. Kurse kërcënimi i një organi të specializuar për të zbardhur të drejtën e një procesi zgjedhor, tenton të intimidojë më tej anëtarët e një kolegji juristësh, me qëllim që t’i jepet padrejtësisht “fitorja” një subjekti të “prekur” nga vendimi. Ky kërcënim, jo vetëm po fyen personalitetin e gjyqtarëve, por po vë në dyshim edhe pavarësínë e tyre duke i trajtuar ata si një tufë frikacakësh, që duhet të njohin autoritete kolltukofagësh, të cilët mund t’i bëjnë gjëmën edhe vendit (!) Por, që ta maskojë harbutërínë cinike të kërcënimit të tij ndaj Kolegjit Zgjedhor, Rama e formulon hakërrímin sikur, duke mos dhënë drejtësí, ky Kolegj e shpuaka vendin drejt një gremine të frikshme, të cilën nuk e paska në dorë as vetë Edvin Ramë rebeli (!) Mirëpo Shqipëría ka aq shumë përvojë në fushën e diktateve ndaj institucioneve, sa e nuhat që Rama me neo-bllokmenët, duke kërcënuar Drejtësínë, përbëjnë sot një rrezik potencial për kthim prapa. Por, edhe pse ky kthim prapa është një absurd, vetë tentatíva synon të frenojë shpejtimin e integrimit dhe europianizimit të vendit! Rama duket nuk e ka kuptuar se forca e demokracísë i shndërron edhe “lepujt” në luanë, kurse kërcënuesit e tyre në ca “lepuj”, edhe kur dinë të bëjnë bojkote, bllokime dhe greva të pakuptimta uríe!...Nuk është kanibalizëm  numërími i votave, por përkundrazi, mosnumërími që kërkon Rama, i cili synon ta shtyjë sa më tej “gjëmën” që nuk po mundet t’i shpëtojë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›