Për humbjen socialiste, s’mund të ketë anti-ilaçe të pjesshme
Me sy të zgurdulluar, i parruar dhe me këmishë të bardhë kreu i PS-së, Edi Rama reagoi dje mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor, i cili sipas tij nuk dha drejtësinë e kërkuar, duke e “kthyer çështjen në tryezën e kanibalizmit dhe vjedhjes së rezultatit në tavolinë”. Pas togfjalëshit “krim elektoral”, publicisti Rama ka krijuar “kanibalizmin elektoral” për të dhënë idenë e një diete vegjetariane të demokracisë, sipas shijeve të opozitës socialiste. Gjithsesi deklarata e djeshme nga xhami i shtypit, për vendimin e fundit të Kolegjit Zgjedhor për hapjen e të gjitha kutive ku mendohet se ka vota të panumëruara, duhet thënë me patjetër se ishte një reagim që diktohej më shumë nga halli i brendshëm që ka në parti sesa nga lumturimi i pranimit të pjesshëm të ankesës nga ana e Kolegjit.
Afërmendsh vendimi i Kolegjit Zgjedhor është shumë i qartë, i sinkronizuar me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor, të miratuar me konsensus nga dy të palët. Për koherencë ligjore, duhet të numërohen të gjitha votat e hedhura në kutitë e gabuara për të gjitha qendrat e votimit në Tiranë. KQZ-ja ka ecur në bazë të ankimimeve dhe indicieve për fletë të kontestuara që i çonin ose kërkonin partitë. Vetëm për 117 kuti ka pasur të tilla dhe PS nuk ka çuar kërkesë ose ankesa për kutitë e tjera, prandaj KQZ-ja numëroi votat vetëm në 117 kuti, por tashmë, me vendimin e Kolegjit Zgjedhor, duhet të numërohen votat e hedhura gabim edhe në kutitë e tjera. KQZ-ja numëroi ato kuti ku pati “sinjalizime” nga anëtarët e qendrave të votimit/numërimit se kishte vota të hedhura gabimisht... por edhe ata kishin mosmarrëveshje midis njëri-tjetrit, ngaqë disa i quanin vota të pavlefshme dhe i kishin hedhur në zarfin e votave të pavlefshme e disa komisionerë i quanin “të kontestuara”. Kështu KQZ-ja numëroi vetëm kutitë që përmbanin sinjalizime për vota të kontestuara dhe që ishin hequr “mënjanë” nga ato të “pavlefshmet”.
Ky vendim, jo vetëm respekton votën e çdo shqiptari, por i hap rrugën edhe transparencës së zgjedhjeve, standard ky që s’është arritur asnjëherë. Është pothuajse e pamundur që Partia Socialiste të dalë hapur kundër pas dy vjetësh kauzë për hapjen e kutive, se është kundër hapjes së kutive. Megjithëse Edi Rama sulmon politikisht drejtpërdrejt Institucionet, për t’i demoralizuar në thelb, për t’ju hequr atyre kështu autonominë e vendimmarrjes.
Ka ardhur momenti që Partia Socialiste të analizojë shuplakat e saj të njëpasnjëshme në ballafaqimin publik me qytetarët. Nuk është e udhës të themi për dështimin e pothuajse të gjitha manovrave jo parlamentare, që nga protesta, bojkoti, greva e urisë, demonstratat e dhunshme apo/ revolta popullore. Ndonëse jemi në raundin e dytë të zgjedhjeve që udhëheqësi i Partisë Socialiste, edhe pse në fillim duket i favorizuar, në fund mbaron i pa frymë, i demoralizuar dhe politikisht i dëmtuar. Aleatët e “Aleancës për të Ardhmen” po mbajnë një distancë sigurie ndaj kanibalit opozitar që kollofiti të gjitha votat kundër Berishës. Sinjali i parë ishte darka e gabuar e 20-vjetorit të Partisë Socialiste, në të cilën mungon shpirti dhe energjia e kësaj partie. Fatos Nano, Andis Harasani, Kastriot Islami, Ben Blushi, etj., janë të shpallur “non-grata” në forumet më të larta të Partisë që për vite i kanë dhënë gjithçka nga vetja e tyre.
Sidoqoftë shpresat janë të pakta që Edi Rama të reflektojë mbi qorrsokakun në të cilën e ka futua Partinë Socialiste. Hapi i parë drejt një reflektimi serioz do të ishte pranimi i humbjes popullore në Tiranë. Sepse duhet thënë se Rama në Tiranë fitonte me mbi 20 mijë vota në kryeqytet, por pas tre mandatesh të vobekta, e katërta do të ishte një nulitet, në kushte kur këshilli bashkiak dominohet nga koalicioni i “Aleancës për Qytetarin” dhe se 7 nga 11 minibashkitë i ka humbur bindshëm. Një lider opozite, që kërkon të jetë kryeministër të të ardhmen nuk mund të sillet si një kryekomunar i zakonshëm që fatet e jetës së tij, i ka lidhur me fatet e bashkisë. Është e papranueshme veçse të mendosh që ai kërkon të gjallojë në karrigen e bashkisë vetëm për dy vitet e ardhshme, sepse në zgjedhjet parlamentare të vitin 2013 do të kandidojë për kryeministër i Partisë Socialiste.