Ska kompromis, politika në udhëkryq. Opozita: Protesta

Dështon kompromisi politik mes mazhorancës dhe opozitës në sallën e Kuvendit, duke risjellë në skenën e vendit më të ashpër se kurrë traumën e një përplasjeje të re, opozita bëhet gati për protesta popullore që ditën e sotme. Në fund të seancës maratonë që ka zgjatur 48 orë në sallën e legjislativit shqiptar është përvijuar një përplasje e re që ka përjashtuar nga procesi të gjithë deputetët e opozitës, ndërkohë që parlamentarët e mazhorancës kanë votuar draftin e opozitës, ndërkohë që kjo e fundit ka deklaruar tërheqjen e të dyja nismave ligjore. Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka hedhur në votim pikë për pikë vetëm njërin nga draftet e propozuara nga Partia Socialiste, përkatësisht vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit. Madje ka bërë të ditur edhe emrat e deputetëve të Partisë Demokratike që do të marrin pjesë në këtë komision. Por opozita është ngritur në këmbë duke kundërshtuar këtë votim, pasi kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, ka bërë të ditur se opozita i ka tërhequr të dyja nismat e saj ndaj nuk duhet të votohet asnjë prej këtyre nismave. Por kryeparlamentarja Topalli nuk është tërhequr dhe ka hedhur në votim nismën e PS-së, e cila në fund ka marrë vetëm 73 deputetë, të mazhorancës, pasi opozita është ngritur në këmbë dhe nuk ka marrë pjesë në votim. Në seancën e djeshme të Kuvendit nuk ka marrë pjesë Kryeministri Sali Berisha dhe zv.kryeministri, Ilir Meta, i cili ndodhej në vizitë në SHBA.
TërheqjaNë fund të të gjitha diskutimeve të deputetëve të të dyja palëve, të cilat kanë përfunduar rreth orës 21.00 të ditës së djeshme, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi,
ka bërë të ditur se opozita do të tërhiqej nga dy nismat e saj ligjore nëse mazhoranca nuk do të votonte projektligjin për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore. Duke iu drejtuar Kryeministrit Sali Berisha, Ruçi theksoi se i lëshonte atij sfidën e aradhes pas tri sfidave të hedhura më përpara. Kreu i grupit parlamentar socialist theksoi: se “sfida ime e katërt është që jam gati të lërë imunitetin parlamentar dhe bashkë me Berishën të shkojmë në gjyq, ku ai të zgjidhë një nga akuzat e shumta që janë ngritur ndaj tij që nga viti 1996”. Pas Ruçit e ka marrë fjalën kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, i cili e ka cilësuar nismën e PS-së si provokative ndaj ka bërë të ditur se nuk do ta votonte mazhoranca. Në podium është ngritur sërish kreu i deputetëve të opozitës, i cili ka deklaruar se 34 deputetët socialistë tërhiqen nga nisma e tyre.
Kryeparlamentarja Jozefina Topalli nuk e ka pranuar kërkesën e PS-së duke deklaruar se nuk ka ardhur një shkresë me shkrim ndaj do ta hidhte në votim. Ruçi ka kundërshtuar, duke e akuzuar se
“Po krijoni një precedent parlamentar. S’keni të drejtë të votoni kërkesën tonë kur ne kemi të drejtën ta tërheqim”.
Topalli ka lëshuar kundërakuzën se “nuk doni transparencën” ndaj ka hedhur në votim vetëm njërin nga draftet e propozuara nga PS-ja. Pas votimit, 73 deputetë kanë votuar pro ngritjes së komisionit hetimor me në krye një deputet të PS-së dhe ku shumicën do ta ketë opozita. Topalli ka lexuar dhe emrat e deputetëve të PD-së që do të marrin pjesë në komision: Ilir Rusmali, Eduard Halimi, Nasip Naço, Edi Paloka, Viktor Gumi, Enkelejd Alibeaj dhe Arenca Trashani. Në fund Topalli ka mbyllur seancën duke deklaruar se kemi zbatuar pikë për pikë kërkesën e komisionerit Fule. Por deputetët e opozitës kanë dalë të irrituar duke akuzuar kryeparlamentaren Topalli se ka shkelur Kushtetutën ndaj do të nisin protestat. Deputeti Erjon Braçe deklaroi pas daljes nga seanca se “Populli nuk ka frikë nga dyshja kriminale Berisha Topalli. Do të përballemi me këtë regjim kriminal. Protestat do të marrin dimension të ri. Që nga nesër do të ketë protesta”. Ndërkohë deputeti Xhafa e ka akuzuar Topallin se ka shkelur rregulloren, ndaj theksoi se opozita do të marrë vendimet e duhura për t’iu përgjigjur situatës.
#