Obama fton ligjvënësit në votën historike
Të dielën, Kongresi Amerikan do të votojë sërish për ligjin e reformës së famshme dhe të shumëdiskutuar të kujdesit shëndetësor. Një votë shumë e vështirë, për shkak të kundërshtisë së ashpër që ka gjetur projekti i Obamës vazhdimisht nga republikanët. Dje, Presidenti e cilësoi votën e nesërme si një moment shumë të rëndësishëm “historik”, në një luftë mjaft të gjatë dhe të vështirë për të bërë një ndryshim thelbësor në një sektor të rëndësishëm të jetës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Deklaratat e tij ai i ka bërë gjatë një mitingu në Virxhinia, në të cilin u bëri thirrje të gjithë ligjvënësve të të dyja partive, asaj demokrate dhe republikane, që të mbështesnin ligjin, duke thënë se “koha për reforma ishte pikërisht tani”. Demokratët, ndërkohë, janë ende duke punuar për të fituar mbështetjen e pjesës së mbetur të ligjvënësve, edhe pse republikanët kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin ligjin.
Reformat, të cilat kërkon që të bëjë Obama në lidhje me kujdesin shëndetësor, kanë të bëjnë me përfshirjen në skemën e detyrueshme të sigurimit të 30 milionë amerikanëve, të cilët nuk bëjnë pjesë në të. Debatin e gjatë për miratimin e kësaj reforme Obama e ka cilësuar “të lodhshëm”, “frustrues” dhe pikërisht votën e nesërme ai e konsideron si kulminacionin e një viti të gjatë, të pasur me suksese, por edhe me shumë vështirësi. “Ne kemi bërë të gjitha përpjekjet e mundshme dhe kemi dhënë të gjitha argumentet e duhura për të paraqitur një reformë që do t’u shërbejë amerikanëve në këtë shekull të ri dhe kemi përfshirë në draftin e ri idetë e republikanëve dhe demokratëve”, ka deklaruar Obama. Kongresi Amerikan dhe Senati kanë adaptuar dy versione të ndryshme të ligjit, përkatësisht njërin në nëntor dhe tjetrin në dhjetorin e vitit të kaluar. Sipas procedurës, një përzierje e të dyja ligjeve duhet që të firmoset nga Presidenti Obama për t’u shndërruar përfundimisht në një reformë të re të miratuar nga të gjitha instancat e legjislativit amerikan. Por, miratimi i këtij ligji nga ana e demokratëve hasi në vështirësi, kur demokratët humbën shumicën absolute në Senat pas zëvendësimit të të ndjerit senatori Kenedi me një senator republikan. Në një rrethanë të tillë, demokratët vendosën që të ndërmarrin një hap ligjor të diskutueshëm, që në fakt nuk kërkon për miratimin e ligjit shumicën prej 60 senatorësh, por shumicën e thjeshtë prej 51 vetash. Gjatë fjalës së tij, Obama i hodhi poshtë të gjitha pretendimet e republikanëve, se ligji i tij ishte shumë i kushtueshëm. “Ky është një ligj, që ndryshe nga sa pretendojnë republikanët se do ta ngrejë shumë deficitin buxhetor, e ul atë në mënyrë të ndjeshme. Për 20 vitet e ardhshme ai do ta ulë atë me 1 trilion dollarë”, ka deklaruar Obama. Nëse ligji do të aprovohet, atëherë ai do të përfaqësojë edhe sfidën më të madhe të sistemit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sistem i cili është krijuar në vitin 1960.
#