APOKALIPSI DHE PËRJETËSIA
Numërimi së prapi ka nisur: 1006 ditë... x orë, x minuta, x sekonda... Klima apokaliptike ka përfshirë njerëzimin: s’ka ditë të mos flitet në masmedia për fundin e botës; sipas fjalëve të orakujve (tërë orakujve!!!) fundi i botës është parashikuar më 21 dhjetor 2012. Sipas kalendarit më të lashtë të botës, kalendarit të Majave, gjatë solsticit të dimrit 2012, një ndryshim rrënjësor do të ndodhë në globin tonë, - ata pohojnë pa ekuivoke Fundin e Botës, siç e njohim sot. Pafundësisht herë, nga një numër i pafundmë orakujsh, është paralajmëruar fundi i botës sonë gjatë mijëvjeçarëve. Dhe ja tek jemi. Njerëzit kanë vite që janë ndarë më dysh: shumica nuk turbullohen nga parashikimet e orakujve, të cilët që kur njeriu e përfytyroi Zotin të ndarë nga gjithësia dhe të shkëputur prej saj (Zoti krijoi gjithësinë dhe vetë njeriun, por nuk përfshihej në të, si në përfytyrimet më të lashta), parashikojnë edhe vdekjen (zhdukjen) e gjithësisë, njëlloj sikur të qe një gjallesë e zakonshme. Të tjerët, pakica, e besojnë Apokalipsin, shkatërrimin e kësaj botës sonë: puna ka shkuar deri aty sa janë krijuar Shoqëri të Shpëtimit Apokaliptik, anëtarët e të cilave besojnë në shkatërrimin e botës sonë dhe më pas në lindjen e një bote tjetër, në të cilën ata do të jenë njerëzit e mbijetuar, njerëzit e rinj të botës së re - ndërtime të nëndheshme të një inxhinierie shumë të sofistikuar, në formë bunkerësh antibërthamorë kanë nisur të mbijnë anembanë globit, si strehët e sigurta të popullit tokësor të mbijetuar... E në këtë atmosferë ndezullane disavjeçare fundibote, duke e tejkaluar ku e ku dëshirën njerëzore të mbijetesës pas apokalipsit, një titull me germa të dukshme fekste, përpara pak kohësh, në gazetën franceze “Le monde”: Ruajeni ADN tuaj në një bankë zvicerane… në përjetësi. Dhe poshtë titullit: Shoqëria zvicerane “Swiss DNA Bank”, u propozon njerëzve të ruajnë (duke derdhur një shumë të caktuar parash) ADN e tyre dhe disa të dhëna personale në një kasafortë të supersiguruar në jetë të jetëve. Ndërkohë që sekreti bankar, aq i shtrenjtë për miqtë tanë zviceran, është vënë në vështirësi së fundmi, një shoqëri e pagëzuar “Swiss DNA Bank” propozon sa më sipër, në këmbim të një shume prej 399 dollarësh apo 275 eurosh. Sipas hartuesve të këtij projekti, ADN e klientëve të tyre, si edhe dokumente të rëndësishme për ta, do të ruhen (sidoqoftë formati i tyre) ad vitam aeternam në një strehim antibërthamor, pranë stacionit luksoz të skive të Gstaad-it...
Përjetësia, pavdekësia. Kur i mendon këto fjalë, përnjëherë, pa pritur në të vërtetë përgjigje, veç bën pyetjen: ç’ndodh kur një kokë e madhe, apo një qenie e dashur largohet nga kjo jetë? Ku ikën, ku gjendet, apo ku teret e zhduket tërë ajo mençuri, dijeni, humanizëm, tërë ai shpirt? Sepse, në fund të fundit, për shpirtin bëhet fjalë. Që kur s’mbahet mend, njeriu ka shpikur mekanizma - qofshin këto edhe fiksione apo trillime - për të ruajtur përjetësinë, kujtimin, kohën. Por gjëja më interesante është se, shekull pas shekulli, njeriu ushqeu një tjetër iluzion, atë të atributit përjetësues të artit, - të qe vallë arti përjetësues zgjidhja e problemit të pavdekësisë? Mirëpo gjasmimi i artit kërkon haraçin e tij, sakrificën e jetës në emër të përjetësisë. Arti kundër jetës? Pavdekësia e shpirtit të vdekur në këmbim të shpirtit të gjallë? Ja ç’thuhet në tregimin e Edgar Poe-s “Portreti vezak”: “Ishte një vajzë me një bukuri të rrallë dhe me një ëmbëlsi e ngazëllim që nuk binin më poshtë. Mallkuar qoftë ora kur ajo pa, dashuroi dhe u martua me piktorin. Ai, pasionant, studios, i ashpër, pat gjetur me kohë një nuse brenda Artit të tij[...] Qe e tmerrshme për këtë nuse kur dëgjoi piktorin të thoshte se dëshironte të pikturonte bashkëshorten e tij të re[...] Dhe ai nuk kishte sy të shikonte se ngjyrat që shtrinte në telajo qenë marrë nga faqet e asaj që ndodhej e ulur pranë tij[...] ...dhe për një çast, piktori u mahnit dhe mbeti pa mendje përpara pikturës që kish bërë; por një minutë më vonë, ndërsa vazhdonte ta sodiste, drithëroi e u bë meit në fytyrë, - dhe tmerri e rrufetoi; më pas, klithi me një zë të mprehtë: “Në të vërtetë ajo është Jeta vetë!” Dhe befas u kthye të vështronte të shoqen: - ajo dergjej e vdekur!” Ndoshta është pikërisht një shpresë e kësillojtë që na ushqen këtë dëshirë të pambarimtë gjasmimi: pavdekësia e vërtetë mund të jetë e mundur vetëm nëpërmjet këtij kushti të vetëm, që me anë të përsosmërisë së paraqitjes (estetikës së arrirë të artit), të arrijmë shpirtin e Tjetrit, për ta përzier me shpirtin tonë, - dhe kështu do të jemi të shpëtuar prej kësaj kopjeje të përzgjedhur, e cila do të na kthente në të barabartë me modelin e saj, në një komunikim ideal ndërgjegjesh. Po si mund ta përcaktonim pavdekësinë? Quhet pavdekësi fakti që i shpëton vdekjes dhe ekziston për një kohë të pacaktuar, ndoshta të përjetshme. Nga burime të ndryshme del se pavdekësia ka të bëjë me shpirtin, trupin, ose të dyja. Ajo është e pasvdekjes, apo tokësore. Origjina e këtij koncepti nuk është e sigurt. Gjithsesi, ekzistojnë disa qoka që po i cekim shpejtazi: Në shekullin XIX spiritizmi zhvillon një doktrinë të bazuar vetëm mbi pavdekësinë e Shpirtit. Simboli i Nicee-s (Credo-ja e parë e vendosur nga koncili i Nicee-s, në vitin 325, i ndryshuar më vonë) thotë: “Besoj në ringjalljen e mishit”. Ky është një pohim i ri në raport me religjionin greko-romak, i cili premtonte një ekzistencë pas vdekjes te Plutoni (Hadesi), porse ky i fundit nuk lejonte në parim asnjë nga anëtarët e efektivave të tij të ktheheshin mbi tokë. Kishin të drejtë ta bënin këtë vetëm “vizitorët e përkohshëm” si Orfeu, Telemaku dhe gjashtë muaj në vit e shoqja e tij, Persefoni. Në shekullin IV para J.K., Platoni shkruan mendimet e tij mbi pavdekësinë e shpirtit( Fedhoni). Ndërsa tullat që shërbyen për të ndërtuar kullën e Babelit, - në fakt një ziggourat (ngrehinë kulti në Mesopotami) në shek. VI para J.K., mbajnë mbishkrimin e mëposhtëm, të gdhendur në kallëpin e tyre: “Unë, Nabukodonosor, biri i Nabopolasarit e kam ngritur këtë kullë për nder të perëndisë Marduk. Marduk, jepna jetën e përjetshme”. Në të njëjtën sferë kulturore, Epopeja e Gilgameshit përshkruan përpjekjet e një heroi që kërkon pavdekësinë për mikun e tij të vdekur, Enkiduin. Ai s’ka për të fituar dot, pasi vetëm Zotat janë të pavdekshëm; do ta dënojnë me vdekje edhe atë vetë, dhe heroi do të shtrihet në gjumin e vdekjes. Këto qenë disa qoka të një perceptimi të lashtë. Ndërsa për perceptimin modern, ekzistojnë gjallesa potencialisht të pavdekshme; këto janë qenie të gjalla me një strukturë biologjike shumë të thjeshtë dhe me një mënyrë riprodhimi të veçantë, të cilat mund të konsiderohen si të pavdekshme: bakteret, disa lloje tharmesh, hidra, disa soje meduzash shumë primitive që kanë një cikël jetësor të rikthyeshëm. Por ka edhe raste shumë të veçanta: qenia shumëqelizore, më rezistentja ndaj çdo lloj forme të shkatërrimit të jashtëm tokësor, deri më tani, konsiderohet tardigrade-i. Pemët më të lashta të botës mund të jetojnë përgjatë pesë mijëvjeçarëve; kafsha më e vjetër i kalon të 400 vjetët dhe disa reptilë më shumë se 190 vjet. Njeriu zyrtarisht i ka kaluar të 120 vjetët. Shumë interesante duket të jetë intervista e biologut të famshëm Jean Rostand (1894-1977), i cili deklaroi: “Nuk dimë nëse njeriu është lule apo karrige” dhe shpjegon më pas këtë thënie të tij shumë provokuese, “karrigia është potencialisht e përjetshme, nëse trajtohet me kujdes dhe riparohet rregullisht. Lulja, përkundrazi, bart në vetvete programin e vetëshkatërrimit. Në të dyja rastet njerëzit mund të shpresojnë të zbulojnë një ditë pavdekësinë fizike: mirëmbajtja është në përgjithësi në çështje teknike dhe disipline; programi (te lulja) mund të manipulohet në nivel gjenetik”. Porse për Rostand-in, “gjëja më e ngutshme është të gjendet se në cilin nga këto dy drejtime duhet punuar”. Sa për letërsinë, tema e përjetësisë dhe pavdekësisë duket të jetë një temë e parapëlqyer nga të mëdhenjtë e letrave, përgjatë shekujve. Te “çifuti endacak”, Eugene Sue hedh idenë se pavdekësia mund të jetë një gjëmë e madhe për atë që e ka (temë e rimarrë te Highlander); Portreti i Dorian Gray-it të Oscar Wild-it: në Anglinë viktoriane një burrë ruan rininë e vet, ndërkohë që portreti i tij plaket në vend të tij. Në “Të gjithë njerëzit janë vdekatarë”, Simone de Beauvoir rrëfen se si një burrë, konti Fosca, me t’u bërë i pavdekshëm, kupton se pavdekësia vret shpirtin, dashurinë, dëshirën për të jetuar... Ndërsa Borges-i në tregimin “I pavdekshmi” shkruan se motori që motivon secilin prej nesh është pikërisht se dimë që jemi të vdekshëm: një Romak që ka shërbyer në ushtritë e Cezarit gjen një lumë që i jep pavdekësinë, pastaj kalon shekuj duke kërkuar një vijë uji që do ta bëjë sërish të vdekshëm.
Sidoqoftë, në të gjitha format e saj, pavdekësia dhe përjetësia kanë për ta interesuar jetësisht njeriun shumë më fort se frika nga Apokalipsi dhe ideja e mbijetesës pas tij; dhe në një botë si kjo e jona, që vrapon për të siguruar rininë e përjetshme dhe pavdekësinë, s’ka pikë dyshimi se ideja e shoqërisë zvicerane “Swiss DNA Bank” ka për të joshur një numër të madh amatorësh, të cilët nuk do të mëdyshen të paguajnë shumën e parave të lartpërmendur, që nipërit e tyre dhe brezat që do të vijnë, të mund të shohin gjurmën që ata lanë mbi Tokë... Pastaj, nuk i dihet kurrë, ndoshta një ditë, shkenca mund të na ringjallë vetëm nëpërmjet kësaj ADN-je të ruajtur me fanatizëm në bankën zvicerane. Edhe po të ndodhë Fundbota, jemi të shpëtuar.
#