Portreti për turp
Gati nuk njihet portreti i poetit në bustin që ndodhet në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, i shkatërruar nga dorë njeriu. Ja fotot e përçudnimit
Busti i Migjenit i ndodhur diku në një qoshe të rrethuar me dyqane e lokale në afërsi të teatrit që mban emrin e tij, në Shkodër, në ndonjë vend normal jo si yni do të përbënte skandal. I kanë thyer hundë e buzë, është nxirë e rrjepur dhe mund t’i ngjajë cilitdo, vetëm Migjenit jo. Busti është punuar në vitin 1961 nga skulptori Andrea Mano. Kjo është e dokumentuar në Kumtarin e Muzeut të Shkodrës, vëllimi i parë, faqe 51, botim i vitit 1973. Drejtues të pushtetit vendor, të pyetur nëse do të vihet dorë mbi bustin e përçudnuar, thonë se është menduar që ai të ribëhet dhe të zhvendoset brenda rrethimit të teatrit. Për këtë të fundit ka vite që qarkullojnë zëra se emri që mban do t’i hiqet.
Duket qesharak ai shkodran që vazhdon ta quajë këtë vend “djepin e kulturës” kur Migjeni është i rrethuar nga kioska e rrangulla dhe njerëz indiferentë ja si në këtë foto. Është e sigurtë se këto radhë njëlloj si shkrimi denoncues i Ardian Ndrecës, botuar para do kohësh në faqet e “Shekullit”, me titull “Pashko Vasa, Luigj Gurakuqi dhe Migjeni të varrosun mes plehnash”, kanë për të hyrë në një vesh e për të dalë nga tjetri. Askujt nuk i vret sytë shëmtia që krijojnë njerëzit dhe dhuna ndaj asaj pjese të traditës që është e padiskutueshme.
Varri i Migjenit në Varrezat e Dëshmorëve të Shkodrës, është thyer e dëmtuar disa herë. Nuk i takon emrit dhe veprës së Migjenit as shtëpia e tij që dikur ishte blerë nga shteti dhe ishte bërë muze. Më 1990 iu kthye atyre pronarëve që shteti ua pat blerë më 1961. Nuk mbetet veçse të besojmë se ky është një serial i përgatitur insinuatash me qëllim shfarosjen e çdo gjurme, në pamundësi për t’i bërë gjë veprës që mësohet në shkolla. Harresa jo e paqëllimshme (harresa është e tillë edhe atëherë kur ndodh nga padija) vjen nga ata që kanë drejtuar dhe drejtojnë Shkodrën.
Kujtojmë këtu se objekt shkrimesh denigruese është bërë origjina e poetit të madh, duke e paraqitur si sllav.
Ka edhe më. Më 22 majin që lamë pas, Migjenit i jepet titulli “Nder i Kombit” gati në klandestinitet, në një ceremoni gjysmëilegale në të uruarën Akademi Shkencash. Por siç tregon për gazetën “Shekulli”, nipi i Migjenit, Gjergj Pero, dekorata e lartë mban datën e 17 korrikut 2007 dhe është e firmosur nga ish -presidenti Alfred Moisiu. Në ceremoninë e organizuar në ASH munguan ata që ia akordonin titullin, përfaqësuesit e rinj të Presidentit Topi.
Përvjetorët vijnë e shkojnë, Migjeni vazhdon të jetë i pranishëm po aty në të majtë të teatrit, me një pamje që është pak të thuash turp. Në muzeun historik të Shkodrës, falë përkushtimit dhe interesimit të disa njerëzve, ruhet një dosje e plotë me dorëshkrime origjinale të Millosh Gjergj Nikollës dhe sende personale e objekte të përdorura nga ai. Ka aty letërkëmbime me familjarë e miq, dorëshkrime origjinale të poezive e prozës së tij, çertifikatë lindjeje, deftesa shkolle etj. Ruhen dhe shënime origjinale të njoftimeve apo krijimeve të viteve 30-të që lidhen me Migjenin, të shkruara nga figura të tjera të njohura të letërsisë sonë.
Shtëpia e Migjenit që reshti së qeni shtëpi muze në vitin 1993, aktualisht nuk mban as një pllakë ku të tregohet se aty ka jetuar poeti i madh. Nipi i Migjenit, Gjergj Pero na tha se ka dërguar tri herë letra tek ministrat e Kulturës ku ka kërkuar t’i kthehen ato pak gjëra personale të dajës së tij, por i janë përgjigjur se muzeu i Migjenit do të zhvendoset në Pukë! Në fakt qyteti i Pukës duket se është i vetmi që vazhdon ta kujtojë Migjenin, pasi çdo vit përkujton datën kur poeti filloi atje punë si mësues. Puka e ka shpallur “Qytetar Nderi”, Shkodra akoma.
Gjergj Pero, djali i motrës së madhe të Migjenit, tregon se familja e gjyshit të tij nga nëna, emrin e të cilit ai mban, është një familje tipike shqiptare ortodokse. “Të gjithë ortodoksit e Shkodrës dinë të flasin gjuhën serbokroate, por kjo nuk do të thotë se ata janë të tillë”, thotë Pero duke kujtuar një nga argumentet e përdorura në përpjekje për t’i ndryshuar kombësinë Migjenit, atë që ai dinte ta shpaloste në gjuhë të shkruar dhe estetikë.
Migjeni do të meritonte një permendore në mes të qytetit të cilit i kushtoi disa nga mrekullitë e tij letrare. Harresa që i bëhet prej vitesh kësaj figure, duket e pajustifikueshme. Shkodra i detyrohet mjaft. Por ajo që ndodh vazhdon të jetë e rëndë. Në një guidë të Shkodrës të botuar dy vjet më parë nga bashkia e qytetit dhe e përgatitur nga të huaj, thuhet se Migjeni “ka lindur në fshatin serb të Vrakës” kur dihet që ai vetëm sa ka punuar disa muaj atje, dhe Vraka është pjesë shqiptare.