E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skajet dhe forca rezultante në BE

14-11-2011 / Nga Qemal Sakajeva

Europa e Bashkuar nuk janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sidomos për dy faktorë bazë: kombi amerikan është “ujem”, i krijuar nga popull emigrantësh, shpërndarë nëpër një territor gjigand - i madh sa një kontinent; dhe, federalizmi amerikan e ka kapërcyer provën e “mpiksjes”, me një kushtetutë të jazhtëzakonshme, të kohës shumë  të gjatë të funksionimit  në prova të mëdha, përkryerjes së demokracisë, të epërsisë ekonomike, ushtarake, shkencore e kulturore, rolit në dy luftëra të nxehta botërore e të Luftës së Ftohtë, dhe shndërrimi  e qenia fuqia supreme e globit.
Europa e Bashkuar është federatë në ngjizje. Një numër shtetesh  përpiqen e nuk munden t’i bashkohen asaj, pa përmbushur kushtet. Këto vende jashtë Bashkimit Europian,  stërlodhen nga dëshira e madhe dhe entuziazmi i lartë, të futen nën kupolën e BE-së, me kryeqendër Brukselin. Qeverisjet e  këtyre shteteve  ngjajnë me makinën, brenda së cilës, sipas rastit, Brukseli përdor të dy “pedalet”, edhe atë të “dhënies gaz” - domethënë të nxitjes për të ruajtur shpejtësinë  e integrimit,  edhe atë të  “frenave” - domethënë  të  kritikës, për të bërë kujdes në shmangien e theqafjeve përgjatë rrugës. Vendet e Bashkimit Europian, në ndryshim me SHBA,  kanë mbetur shtete - kombe dhe, emigrantët  në to, asnjëherë nuk nuk do të jenë  si milionat e SHBA, që krijuan kombin. Brenda Bashkimit Europian, si në shtetet  themeluese , por dhe te ato të antarësuara më vonë,  janë  përvijuar  diferencave  qëndrimesh, çka e ka bërë BE-në të kërkojë energji plotësuese për kapërcimin e vështirësive dhe të mosndaljes në rrugëtimin strategjik,  për t’u bërë Shtetet e Bashkuara të Europës.
Së voni, shfaqen dy dukuri të dallueshme: janë krijuar  katër skaje me problematikë të ndryshme dhe, për shkak të tyre, në qendrën e hapësirës territoriale po përftohet  rezultantja, siç edhe njihet në fizikë, që kur një apo disa forca nuk tërheqin në një drejtim, përftohet rezultantja e lëvizjes. Mekanizmi i funksionimit të Bashkimit Europian është e drejta e barabartë, pavarësisht se aty ka Gjermani të fuqishme ka dhe shtete të vogla si Qipro.
Skaji parë, i padëshirueshëm për Brukselin, është një dalje nga rreshti  i politikës së përbashkët - mosrënia dakord e pesë shteteve veç e veç, me 22  të tjerat, për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo histori e politikës së kundërt,  brenda të njëjtit Bashkim, vijon që nga shkurti i vitit 2008, e nuk tundet, edhe pse Kosova është njohur nga shumë vende e fuqi të mëdha  demokratike  të botës. Përjashto Spanjën që, për Bashkimin Europian përfaqëson një vend të madh, katër shtetet e tjera janë  të vogla, të dobëta, ballkanike, përfshirë Sllovakinë, shtet i përftuar nga ndarja e Çekosllovakisë, le të themi, një  fqinjë e  Ballkanit. Të pesë këto shtete, të gjitha anëtare të Bashkimit Europian - Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro, nuk e njohin Kosovën dhe shprehen të vendosura për të mos e njohur edhe më tej, sidomos veçohet Basesku i Rumanisë me deklarata si t’i qenë  marrë  ministrit të jashtëm të Serbisë Vuk Jeremiç; Qipro ka tejkaluar edhe Beogradin, me deklarimin që, edhe nëse Serbia do të njohë Kosovën, Qipro nuk do ta njohë kurrë; Greqia e lëkundur mes perëndimit dhe bizantinizmit, s’ka vendosur ende për njohjen; Sllovakia, atë çfarë  deshi dhe mori për vete, nuk pranon që Kosova të marrë çfarë i takon. Kosova, identitetin e vet kombëtar, territorial, historik e ka aq të prerë, të dallueshëm e të veçantë nga Serbia, sa Sllovakia nuk e ka patur e as do ta ketë  asisoj me  Çekinë, me të cilën pati të ashtuquajturën ndarje të mëndafshtë. Ky skaj politik  në Bashkimit Europian është pozicionimi i ca të vegjëlve përballë shumicës së tij me fuqi përcaktuese, që nga themelimi i BE-së, fuqizimi dhe zgjerimi i tij. Këto shtete, të drejtën e të qenit anëtarë të barabartë, e përdorin për të penguar të drejtën e një shteti tjetër të njohur botërisht.
Skaji i dytë është veri-perëndimi  i Bashkimin Europian: Mbretëria e Bashkuar  nuk ka pranuar t’i bashkohet eurozonës. Në kohën e krizës së borxheve, Britania e Madhe duket se ndjehet më mirë që nuk është në eurozonë. Edhe nëse është lëkundur për të braktisur qëndrimin e vet të gjatë në këtë skaj, kriza e tashme  duhet t’i ketë rrudhur forcat pro eurozonës. Ndërsa ftohet “hyr  në eurozonë”, Anglia përgjigjet ende: “Nuk hy!”
Skaji i tretë është Greqia, në jug të Bashkimit Europian, që ka rrëmbyer  “kurorën e borxhit”, duke u shndërruar  në lajm të madh të botës,  dhe një model i keq se si një shtet  nuk duhet të mashtrojë me statistika, se si nuk duhet të vidhet, se si nuk duhet të jetojë mbi fuqitë e veta prodhuese. Edhe Italia, por ajo është si një peshk që ka cekur në  zall dhe, duke u përpëlitur ka fuqinë të futet  në ujë dhe të notojë. Ndërsa Greqia është një peshk i mbetur, në breg e nën diell, dhe për të shpëtuar, duhet të kalojë aty pranë, një peshkatar zemër mirë, ta hedh përsëri në ujë e të mos e shtyjë me këmbë nëpër zall si të  “pangrënshëm”. Për Greqinë ballkanike, Barroso tha që, e dinin që në krye të herës se, ajo nuk i përmbushte kushtet për t’iu bashkuar BE-së që, ndërsa  presidenti i Francës  Sarkozi foli troç, duke e cilësuar një gabim pranimin e Greqisë në BE. Shteti helen vuan  madhështinë e helenizmit, duke përdorur shpikjen helene të demokracinë edhe meritë të grekëve të sotëm, për t’u barabitur me standardin gjerman, francez, anglez, skandinav apo italian të politikës, zhvillimit dhe nivelit të  jetesës,  për të mbizotëruar në Gadishull,  nën flamurin blu me yje të verdhë. Ja ku është Greqia: ajo është paralajmëruar që, nëse nuk zbaton masat drastike për të kapërcyer gjendjen katastrofike të borxheve, do dalë nga eurozona. Por, në skajin e vet ajo përgjigjet ndryshe nga Anglia: “Nuk dua të dal!”
Skaji i katërt ka emër  Nordik. A nuk bie në sy që, gjatë alarmit dhe të tronditjeve nga rreziku i borxhit, Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Finlanda, thuajse nuk përmenden fare në lajme, duke vërtetuar thënien e njohur të qetësisë për çdo vend: “No news, god news” (S’ka lajme, lajm i mirë)? Të katër këto vende janë në krye të listës së botës, se nuk vuajnë nga korrupsioni; të besimit të popullit ndaj qeverisë dhe të  qeverisë ndaj popullit, e shprehur në këtë mënyrë: populli paguan taksat dhe është i sigurtë se qeveria ia kthen ato në shërbime, ndërsa qeveria është e kënaqur me  popullin sepse ai i  paguan taksat nga që e di se nuk i vidhen. Ky skaj përbën një model të madh brenda  BE-së, i cili i bën të skuqen shtete si Greqia ku, qeveritë e njëpasnjëshme dështuan të drejtojnë vendin, edhe pse nën sytë dhe veshët e hapur të Brukselit. Vështirë të gjesh një shtet  tjetër ku të gjitha elitat rrinin dhe shihnin se si shteti dështonte dhe nuk lëvizën  për ta ndalur rrënimin.
Këto skaje tërheqin në kahje të ndryshme: Anglia - për të mos u futur në eurozonë; Greqia - e mbytur në borxh, të mos dalë nga europona; Nordikët - të heshtur në suksesin e tyre  përballë krizës; dhe, Poli politik - Spanja, Rumania, Greqia, Sllovakia dhe Qipro, nuk i binden thirrjes së përsëritur të  Brukselit e të  Uashingtonit, ende ngulin këmbë në dëm të Kosovës, dhe kundër politikës së BE dhe SHBA.
Siç, edhe në  familje, gjykimi i përbashkët është i rëndësishëm për harmoni, por mbetet  domosdoshmëri nevoja e kreut, të zotit të familjes. Në kohën e ndërveprimit të këtyre  skajeve, shihet të dalë në pah një forcë rezultante: Kjo është Gjermania. Republika Federale e Gjermanisë është shfaqur në Kosovë me fuqi domethënëse politike, e përcaktuar qartësisht dhe e vendosur në tri çështje  të mëdha: Ka njohur pavarësinë, problemin e Kosovës e ka përcaktuar çështje të përfunduar dhe kërkoi shkatërrimin e pushtetit paralel serb. Pas këtij hapi, Gjermania e fuqishme u bë shteti që i priu veprimit të guximshëm për përballimin e borxheve dhe mbrojtjes së euros. Në krah të saj dhe në mbështetje të plotë u vendos Franca. Roli i vendeve të fuqishme të BE-së nuk mund të barabitet me atë të shteteve tejet të vogla, të cilat mund të përdorin vote për të penguar  strategjitë e mëdha, që nga  politika për njohjen e Kosovës e  deri te mënyra se si mund të përballohet, e kapërcehet kriza e borxheve dhe mbrojtja e Bashkimit Europian. Në shqipe ka një proverb qortues për barazitë e pabarazueshme, që i shkon për shtat këtyre rrethanave brenda Bashkimit Europian: “Jo kështu, se u bëhemi të gjithë si këmbët e dhisë!”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›