E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skampa vjen edhe në Tiranë

Nisi mbrëmë në Elbasan edicioni i 10-të i Festivalit ndërkombëtar teatror "Skampa-2008". Mësohet se këtë vit është zgjeruar gjeografia e pjesëmarrjes, pasi festivali vizitohet për herë të parë nga një trupë austriake. Krahas shfaqjeve në Teatrin “Skampa”, në Elbasan, në kuadër të këtij festivali do të ketë shfaqje edhe në Tiranë, në skenën e Teatrit Kombëtar dhe Akademisë së Arteve. Për këtë veprimtari Bashkia e Elbasanit ka akorduar një fond prej 2 milionë lekësh, ndërsa pritet dhe fondi prej 1.5 milionë lekësh nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Sipas programit, në çdo ditë të festivalit do të prezantohen dy shfaqje. Festivali u hap mbrëmë në orën 19.00 nga “Teatrikal Grup Kotor" i Malit të Zi, me shfaqjen "Medea", të Euripidit, me vështrimin modern të regjisorit Slobodan Milatoviç. Në këtë edicion të dhjetë marrin pjesë pesë trupa shqiptare dhe pesë të huaja. Veç trupës së qytetit organizues, Teatrit "Skampa", me shfaqjen "Dasma", me regji të Erand Sojlit, marrin pjesë dhe teatri "Dodona" i Prishtinës, me shfaqjen "Kopshti Zoologjik", me regjisor E.Albi, trupa “Bylis" e Fierit, me shfaqjen "Pushtet", me regjisor Adonis Filipi, teatri “Migjeni”, i Shkodrës, me shfaqjen "Putargat e Thata", të Stefan Çapalikut. Ndër trupat e huaja, pas asaj të Malit të Zi do të ngjiten në skenë dhe Teatri Kombëtar "Shtip Maqedonia" me shfaqjen "Gjithandej" me regji të Dejan Prajkovskit, Teatri “ASOU-Graz”, Austria, me shfaqjen "Origjinë e panjohur", me regjinë e Klaus Seewald, Teatri "Aida Vila Pitest" i Rumanisë, me shfaqjen "Dashuria të dërgon fishekun e fundit", me regji të Luminita Bortas, dhe teatri i Barit (Itali), me shfaqjen "Leksioni i Pianos", me regjisor Karlo Bruni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›