Ish-oficeri vret mikun e shtëpisë
53-vjeçari u shtrua në spital pas kryerjes së krimit në gjendje të rëndë depresive nën ruajtjen e forcave të policisë
POGRADEC – E thërret në shtëpi e më pas e vret. Me çekiç. Kjo është “telenovela” e radhës në qytetin e Pogradecit. Ish-oficeri i ushtrisë (në lirim) Bashkim Muça, rreth orës 14:30 vrau në shtëpinë e tij 50-vjeçarin Beqir Basha, edhe ky një ish-oficer në lirim i ushtrisë. Ndërsa banorët janë tmerruar nga ndodhia, policia prangosi 53-vjeçarin dhe nisi hetimet për të gjetur shkaqet e vrasjes. Gjithçka ndodhi brenda pak minutash pasi Basha hyri në shtëpinë e ish-kolegut të tij dhe pasi fqinjët dëgjuan zhurmë e të bërtitura e më pas thirrje për ndihmë. Pastaj... qetësi.
Ngjarja
Kishte kaluar pak mesdita kur banorët e pallatit 5-katësh në lagjen “Vullnetari”, tek hyrja e cepit në katin e pestë, me drejtim nga ana e liqenit, dëgjuan zhurmë, të bërtitura, thirrjet “Ndihmë! Ndihmë!”… Por, pas pak, gjithçka duket se është qetësuar. Kaluan rreth 20 minuta dhe nga dritarja e kuzhinës së Bashkim Muçës u hodhën në oborrin e pallatit një çekan dhe një hekur i trashë në formë L-je, të lyera më gjak. Në atë moment, në oborrin e pallatit ndodheshin dy prej komshinjve të pallatit. Shumë banorë iu drejtuan paskësaj hyrjes së katit të pestë, ku gjetën Bashkim Muçën, të shtrirë në krevatin e vet, dhe një person të mbytur në gjak në dysheme.
Policia
Identifikimi i viktimës u bë vetëm rreth një orë pasi policia mbërriti në vendngjarje, një identifikim i vështirë për shkak të plagëve të rënda të marra. Burimet në vendngjarje bënë të ditur se emri i Beqir Bashës doli vetëm pasi u kontrollua telefoni celular në xhepin e viktimës. Pas verifikimeve rezultoi se edhe ky i fundit kishte qenë ish-oficer dhe se pas lirimit nga detyra punonte kambist në qytet.
Shkaqet
Pas mbërritjes së forcave të policisë, Muça mësohet që të ketë pësuar një krizë të fortë nervore dhe në gjendje të rëndë depresive është shtruar në spitalin e qytetit të Pogradecit, nën vëzhgimin e uniformave blu. Deri në mbrëmje për policinë nuk ishin të ditura motivet e krimit makabër, pasi nuk është e mundur marrja në pyetje e Bashkim Muçës, për të hedhur më tepër dritë mbi çështjen. Burimet policore u shprehën se dyshohet se vrasja ka qenë për motive të dobëta, të ndikuara nga gjendja jo e mirë mendore e autorit të vrasjes. Ndërkohë, blutë morën në pyetje personat e parë që u ndodhën në vendngjarje, si dhe dy bashkëshortet (të autorit dhe viktimës). Rreth orës 17:45, trupi i viktimës u largua nga shtëpia e Bashkim Muçës drejt morgut të spitalit.