Skandal me pronat, akuza noterit
Trazhgim Sokolaj
Prokuroria dërgon në gjykatë me akuzat "falsifikim dokumentesh" dhe "shpërdorim detyre" noterin e dyshuar për abuzime me dokumentet e disa pronave në periferi të Tiranës. Burime zyrtare nga Prokuroria e kryeqytetit, thanë se kanë përfunduar hetimet dhe është dërguar në gjykim dosja penale në ngarkim të noterit Nezir Murati, i licencuar dhe me zyrë noteriale në kryeqytet. Bashkë me noterin e dyshuar, të pandehur në gjyq për dy akuza, prokuroria ka dërguar edhe Arben Bastarin, i cili akuzohet për të njëjtat episode abuzimi sikurse noteri Murati. Sipas burimeve nga prokuroria e kryeqytetit, dosja penale nr.1685 ndaj dy të akuzuarve është depozituar në Gjykatën e kryeqytetit më 23 korrik 2009. Bashkë me dosjen mësohet se janë dorëzuar edhe materialet shkresore, ku ndodhen ekspertimet e dokumenteve, kallëzimet e pronarëve të tokës, si dhe një sërë provash të tjera dokumentare. Togat e zeza pritet të fillojnë shqyrtimin gjyqësor të dosjes, e cila bën fjalë për noterizimin e dhjetëra dokumenteve të pronësisë së trojeve në periferi të kryeqytetit. Rasti më i fundit është ai i 10 dynymëve në Selitë të Tiranës. Prokuroria e akuzon Nezir Muratin, se me noterizimin e tij është tentuar të shitet i gjithë trualli i tokës për 500 mijë euro, pa dijeninë e pronarit të vërtetë të truallit. Ky rast është zbuluar në një kohë kur policia nuk dinte asgjë rreth implikimit të noterit Murati. Hetimet e mëvonshme zbuluan rolin që ai dyshohet se ka pasur në "përpunimin" e dokumentacionit mbi pronën në fjalë.
Rasti i Selitës
Më 28 maj 2009 policia e Tiranës njoftoi arrestimin e Seit Pinarit dhe dërgimin për ndjekje penale të dy noterëve. Sipas policisë, Seit Pinari, 37 vjeç, banues në Selitë u ndalua nga Sektori i Antikrimit Financiar me akuzën e falsifikimit të dokumenteve. Arrestimi ka ndodhur pasi policia ka marrë një kallëzim që pretendonte se sipërfaqja e tokës prej 10 dynymësh, ishte tentuar të shitej nga Seit Pinari në bashkëpunim me noterët, pa dijeninë e pronarit të vërtetë të truallit Bajram Pinari. Ky i fundit është paraqitur dhe ka bërë denoncim në polici sapo ka mësuar se prona e tij i kishte "dalë nga duart". Policia filloi menjëherë hetimet dhe sipas burimeve zyrtare, rezultoi se djali i pronarit të tokës, kishte falsifikuar dokumentet në bashkëpunim me noterët me qëllim shitjen e tokës, 10 dynymë për rreth 500 mijë euro, pa dijeninë e babait. Në momentin e denoncimit të Bajram Pinarit në polici, toka rezultonte të ishte shitur disa muaj më parë. Sipas policisë, as vetë pronari i tokës nuk ka dyshuar tek autorët e ngjarjes, por "pronari" i ri, i kishte pohuar se truallin e kishte blerë nga djali i tij. Pas hetimeve të para, policia ia dërgoi dosjen prokurorisë, ndërsa kjo e fundit pak ditë më parë përfundoi hetimet dhe dërgoi të pandehurit në gjykatë për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre.