Malaj: Jo bojkot Kuvendit, të presim ODIHR për zgjedhjet
Aristir Lumezi
Anëtari i Kryesisë, Arben Malaj, në një intervistë për gazetën “Panorama” lidhur me qëndrimin që PS-ja duhet të ketë për të qenë ose jo në Kuvend, shprehet se “PS-ja duhet ta kërkojë suksesin e saj në efikasitetin si opozitë në Parlament dhe në aleancat në rritje”. Sipas tij, aleancat politike me partitë e spektrit të majtë, aleancat me grupet e interesit dhe shoqërinë civile që ndjejnë pasojat negative të keqqeverisjes së vendit dhe të zgjedhjeve të dështuara, duhet të jenë në qendër të vizionit që kjo parti duhet të ndërtojë për të dalë fituese në garat e ardhshme. Anëtari i Kryesisë socialiste shprehet se, fillimisht PS-ja duhet të bëjë vlerësimin e zgjedhjeve dhe pas analizave dhe vlerësimeve duhet të përcaktojë qëndrimin e saj për zgjedhjet në institucionet kushtetuese.
Zoti Malaj, Partia Socialiste pas përfundimit të procesit ankimor, përmes forumeve të saj vendimmarrëse po kërkon të mos njohë zgjedhjet dhe rrjedhimisht të mos marrë pjesë në parlamentin e ardhshëm. Sa një vendim i tillë dëmton profilin evropian të kësaj partie, duke aplikuar politikë të ngjashme me atë të PD-së vite më parë?
Një gjë është e qartë, këto zgjedhje nuk i arritën standardet europiane, të detyrueshëm edhe për të përshpejtuar integrimin europian të vendit. Qartësimi publik i shkeljeve, deformimeve dhe keqpërdorime të qeverisë Berisha gjatë gjithë etapave të procesit zgjedhore është përgjegjësi politike e Partisë Socialiste.
Vlerësimi për zgjedhjet është momenti i parë, qëndrimi ndaj zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre është momenti i dytë dhe tepër i rëndësishëm, por gjithmonë brenda institucioneve kushtetuese.
Një vendimmarrje e tillë, mosnjohje e zgjedhjeve, pritet të bëhet pa bërë më parë një analizë të plotë të rezultatit zgjedhor të marrë nga ana e PS-së, për të dalë më pas në konkluzionin se ka pasur elementë manipulimi që kanë ndikuar në këtë rezultat. Ju do të kërkoni këtë analizë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare?
Një vlerësim për zgjedhjet mund të jetë i mundshëm edhe nesër me një rezolutë të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Ndërsa qëndrimi për zgjedhjet do të vijë pas një analize të plotë të tyre dhe për vetë strukturat e Partisë Socialiste. Procesi i analizave dhe përgjegjësive duhet të orientohet në këndvështrim të sfidave të së ardhmes. Ai do të duhet të jetë një proces i qetë, jo i nxituar, jashtë influencave emocionale dhe aq më pak një mundësi rinisje debatesh dhe grindjesh të personalizuara brenda Partisë Socialiste.
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka thirrur mbledhjen urgjente të Asamblesë ditën e martë, ndërkohë që një diskutim paraprak i axhendës së saj çuditërisht nuk ka kaluar më parë në Kryesinë e kësaj partie. Mendoni se kjo shmangie ka lidhje me debatin e hapur për nxjerrjen e përgjegjësisë së rezultatit zgjedhor dhe zbatimin e statutit?
Do të ishte shumë mirë që vlerësimi i Partisë Socialiste për zgjedhjet të ishte rezultante e një analize sa më të plotë; të qartësoheshin momentet kryesore ku zgjedhjet dështuan dhe të qartësoheshin përmirësimet e nevojshme. Përgjithësisht për ngjarje kaq të rëndësishme, siç janë zgjedhjet parlamentare, qëndrimi politik diskutohet në të gjitha instancat dhe bëhet publik me një rezolutë zyrtare, shumë mirë të parapërgatitur dhe të diskutuar me kolegët dhe institucionet e Partisë Socialiste. Kryesia e Partisë Socialiste, një nga detyrat e saj, ka pikërisht përpunimin e qëndrimit politik të Partisë Socialiste për ngjarjet më të rëndësishme politike, qëndrime që për nga rëndësia e tyre kërkojnë të miratohen në Asamblenë Kombëtare ose në kongresin e Partisë.
Për mbledhjen e Asamblesë nuk janë lajmëruar pothuaj të gjithë deputetët që nuk rikandiduan dhe që mandati i tyre përfundon ditën që nis nga puna parlamenti i ri, por dhe anëtare të kryesisë, Haxhiymeri dhe Allushi. Si i gjykoni këto qëndrime që s’kanë lidhje me “harresa” të punonjësve të aparatit të selisë rozë?
Sidomos në këto momente jo të lehta të Partisë Socialiste, respektimi i institucioneve, mospërjashtimi i asnjë të zgjedhuri nga aktivitetet politike dhe diskutimet politike, ndalja e çdo qëndrimi preferues apo jo preferencial ndaj anëtarëve dhe të zgjedhurve, janë shumë të rëndësishme për të nesërmen e forcës politike. Edlira Haxhiymeri dhe Eva Allushi meritojnë vlerësim për përkushtimin me të cilin i kanë shërbyer Partisë Socialiste në të gjitha sfidat e saj, përfshirja në listat e deputetëve duhet të ishte plotësim normal i mirënjohjes për angazhimin e tyre politik.
Gjatë këtyre ditëve ka pasur një tendencë për të “mbytur” çdo zë që kërkon nxjerrjen e përgjegjësive për rezultatin e zgjedhjeve, duke nisur që nga krerët e degëve lokale e deri në qendër. Mendoni se këto qëndrime po ngushtojnë hapësirat demokratike dhe kërkojnë të mbajnë këtë status-quo në lidershipin e PS-së?
Jam shprehur qartë për këto raste. Modernizimi i çdo force politike, përballimi i një mossuksesi elektoral, rikthimi i besimit dhe kredibiliteti publik nuk mund të arrihen nëpërmjet “disiplinës apo solidariteti partiak”. Solidariteti nga frika nuk është element i eficiencës për sukses, ai thjesht menaxhon një situatë të caktuar dhe vetëm në një moment të caktuar, por i bën më të mprehta dhe më të vështira problemet reale. Në këtë rast kriza brenda një force politike mbetet, koha në opozitë zgjatet dhe suksesi i kësaj force politike bëhet më i vështirë.
Si do të gjykoni klishetë elektorale të njohura nga të gjithë tashmë “Unë do ta fitoj këtë garë” para zgjedhjeve, ndërsa pas zgjedhjeve po dëgjojmë çdo ditë se “Partia Socialiste nuk do t’i njohë zgjedhjet”. Ka një moment që duhet sqaruar për të gjithë?
Qëndrimi jonë për zgjedhjet do të vijë edhe pas raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR, në qoftë se ai do të konkludojë se këto zgjedhje nuk i plotësuan standardet, ç’ka do të thotë që procesi i integrimit të vendit do të ngadalësohet apo edhe të ngecë në vend. Partia Socialiste do të duhet të iniciojë të gjitha veprimet politike në Parlament dhe në publik për ta nxjerrë vendin nga ky dështim. Partia Socialiste besoj do ta kërkojë suksesin e saj në efikasitetin si opozitë në parlament dhe në aleancat në rritje. Aleancat politike me partitë e spektrit të majtë, aleancat me grupet e interesit dhe shoqërinë civile që ndjejnë pasojat negative të keqqeverisjes së vendit dhe të zgjedhjeve të dështuara, duhet të jenë pjesë e filozofisë dhe strategjisë së fitoreve në garat e reja politike që duket se nuk do të jenë të largëta.