E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në Bullgari, kryeministri Borisov i përfshirë në afera

Është publikuar në mediat bullgare një audio në të cilën tregohen përgjimet e bisedave që përfshijnë Kryeministrin bullgar Bojko Borisov, kreun e agjencisë së doganave Vanjo Tanov dhe ish-zëvëndësin e tij Antoni Strandzhev. Bisedat, vërtetësia e të cilave nuk është konfirmuar, lënë të kuptohet se zyrtarët u përfshinë në praktika të korruptuara. Kjo është hera e tretë që rregjistrime të tilla publikohen në media, por është hera e parë që akuzohet drejtpërdrejt kryeministri i vendit. Skandali shpërtheu kur e përjavshmja tabloide me qendër në Sofje, “Galeria” botoi përmbajtjen e tre bisedimeve telefonikë që kreut bullgar i doganave Vanjo Tanov dyshohet se ka patur me eprorët e tij, Ministrin e Financave Simeon Xhankov dhe zëvendësin e tij Vlladislav Goranov. Këto kaseta, të rregjistruar sipas njoftimeve në maj të vitit të kaluar, nxorrën marrëdhëniet e tensionuara të Tanov dhe ministrisë së financave me Ministrin e Brendshëm Cvetan Cvetanov. Në një nga bisedat me Xhankov, shefi i doganave lë të kuptohet se ministri i brendshëm ishte përpjekur të mbronte disa ndërmarrje nga dënimi për shkelje të rregullave doganorë. Në to dëgjohen edhe kërkesat e përfaqësueseve të partisë në pushtet, për të instaluar në poste kyçe të doganave njerëz besnikë të partisë. Kryeministri Borisov e kundërshton vërtetësinë e bisedës së tij me shefin e doganave, Vanio Tanov. Burimi i informacionit që ka dalë është i panjohur. Disa spekullojnë se rregjistrimet vijnë nga një hetim mbi Tanov në fillim të vitit të shkuar që përdori mjete të posaçme hetimi, duke përfshirë përgjimin e telefonave. Borisov thotë se rregjistrimet u manipuluan dhe vërtetësia e tyre do të përcaktohet, nga ekspertët.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›