E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në kryeqytet/ Kanalizimet shpërthejnë, qytetarët rrezikohen nga sëmundjet

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së Fax News për të denoncuar një tjetër situatë alarmante në Tiranë, ku kanalizimet kanë dalë jashtë kontrollit, ndërsa ujërat e ndotura vazhdojnë të pushtojnë rrugët dhe hapësirat publike pa asnjë reagim serioz nga institucionet përgjegjëse.

Banori shprehet i revoltuar, duke theksuar se këto probleme nuk janë më raste sporadike, por një realitet i përditshëm me të cilin përballen qytetarët. Sipas tij, pavarësisht ankesave të shumta, UKT vazhdon të heshtë dhe të mos marrë asnjë masë konkrete për të zgjidhur situatën.

“Paguhen taksa, paguhen fatura të larta për ujë e kanalizime, por në këmbim qytetarët marrin erë të rëndë, rrugë të mbushura me ujëra të zeza dhe rrezik për shëndetin. UKT kujtohet vetëm për faturat dhe gjobat, jo për detyrimet ndaj qytetarëve,” – shprehet ai për Fax News.

Ky rast nxjerr sërish në pah dështimin e menaxhimit të sistemit të kanalizimeve dhe kullimit në kryeqytet. Ndërkohë që propaganda për “transformimin” e Tiranës vazhdon çdo ditë, realiteti që përjetojnë qytetarët është krejt tjetër: kanalizime të amortizuara, përmbytje sa herë ka probleme në rrjet dhe një qytet që në shumë zona mban erën e ujërave të zeza.

Tirana mbetet paradoksalisht një nga kryeqytetet e vetme në Europë ku ujërat e zeza të papërpunuara derdhen hapur në një kanal që kalon përmes qytetit dhe quhet “lumë”. Lana, që në një kryeqytet normal duhet të ishte një hapësirë e pastër dhe funksionale për qytetarët, është kthyer prej vitesh në simbolin më të qartë të dështimit urban dhe institucional.

Është bërë aq normale prania e ujërave të zeza mes lagjeve të Tiranës, saqë shumë njerëz thuajse nuk reagojnë më. Por normalizimi i një katastrofe higjieno-sanitare është alarm më i madh se vetë problemi. Sidomos gjatë verës, kur temperaturat rriten ndjeshëm dhe betoni i pafund i kullave e rëndon edhe më shumë situatën, era e rëndë që çliron Lana bëhet thuajse e padurueshme për banorët.

Në mesin e vitit 2026, është turp që kryeqyteti i Shqipërisë ende të përshkohet nga ujëra të zeza në mes të ditës, ndërsa institucionet vazhdojnë të investojnë më shumë te propaganda sesa te zgjidhjet reale. Miliona euro fliten për projekte fasadë, por qytetarët vazhdojnë të jetojnë mes ndotjes, erës së rëndë dhe frikës për përhapjen e sëmundjeve.

Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente dhe një rikonceptim të plotë të sistemit të kanalizimeve në Tiranë, pasi situata sipas tyre ka kaluar çdo kufi normaliteti. Për ta, nuk mjaftojnë më justifikimet dhe deklaratat propagandistike, kur realiteti në terren flet vetë: një kryeqytet që vazhdon të mbytet nga ujërat e zeza dhe nga papërgjegjshmëria institucionale.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›