E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali Bettencourt vazhdon të tronditë Francën

Woerth ka dhënë dorëheqjen nga detyra e shefit të thesarit të UMP, vetëm një ditë pas rrëfimit të Sarkozisë

Ministri i Punës, Eric Woerth, ka hequr dorë nga detyra e shefit të thesarit të UMP-së, partia e Presidentit francez, Nicolas Sarkozi. Lajmi është bërë i ditur nga vetë ai, ku u ka treguar gazetarëve për vendimin e marrë pas përfundimit të një mbledhje qeverie. “Më duhet të shoh kalendarin. Sigurisht që do largohem”, tha Woerth, duke iu përgjigjur pyetjes se kur do të hiqte dorë nga detyra. Ishte pikërisht Sarkozi që e këshilloi Woerth të hiqte dorë nga posti që mbante prej 8 vjetësh, për të mos e përkeqësuar më tej çështjen e skandalit Bettencourt, ku ministri akuzohej se kishte pranuar nga trashëgimtarja e “L’Oréal” financime të paligjshme për fushatën elektorale të Presidentit në vitin 2007. Në intervistën e dhënë në televizion “France 2”, Presidenti i Republikës franceze dhe lideri i UMP-së mbrojti me forcë Ministrin e Punës, por në të njëjtën kohë e këshilloi të braktisë detyrën e shefit të thesarit të partisë për t’iu dedikuar vetëm reformës së pensioneve. Ndërkaq, Sarkozi theksoi se inspektorati i financave e ka “liruar” Woerth nga akuzat se ka favorizuar invazionin fiskal të Liliane Bettencourt. Sipas një anëtari të qeverisë, “dorëheqja është shumë afër”. Një ditë më parë, Woerth kishte deklaruar se kishte “reflektuar” për t’u larguar nga posti që mbante në Partinë UMP, për shkak të konfliktit të interesit në çështjen Bettencourt. Woerth e gjeti veten të përfshirë në këtë skandal, kur një ish-llogaritar i gruas më të fuqishme të Francës e akuzonte se kishte marrë 150 mijë euro në dorë për të financuar fushatën elektorale të Sarkozisë. Ai është një njeri i ndershëm, që ka duruar gënjeshtra dhe shpifje për tri javë rresht, por Woerth qëndron përtej çdo dyshimi”, deklaroi Presidenti, duke e vënë theksin edhe njëherë tek Inspektorati i Përgjithshëm i Financave, që dy ditë më parë e nxorën ministrin Woerth të “larë” nga kjo çështje. Ndërkaq, Sarkozi i quajti të gjitha këto akuza si turp, duke deklaruar se Franca nuk është një vend i korruptuar. “Franca nuk është një vend i korruptuar. Klasa politike e saj është e ndershme”. Kështu i hodhi poshtë Presidenti francez të gjitha akuzat ndaj tij dhe ministrit Woerth për korrupsion. “Nëse të gjitha këto fjalë bëhen për të na humbur kohë, po ju them se francezët nuk duan këtë, por reforma që të mund t’i nxjerrë nga kriza”, tha ai. Me pak fjalë skandali Bettencourt është për Presidentin e vendit një gjë pa shumë rëndësi, që mediat e kanë bërë shumë të madhe. Edhe pse rikonfirmoi edhe njëherë ministrin e Punës, Sarkozi nuk përjashtoi ekzistencën e një konflikti interesash (Florence Woerth, gruaja e ministrit ka punuar deri pak ditë më parë me Bettencourt me një rrogë prej 180 mijë eurosh). Për të riparë rregullat ai propozoi krijimin e një komisioni bipartizan. Edhe për akuzat personale kundër tij të ish-llogaritarit të Bettencourt, Presidenti deklaroi: “është një turp. Maxhordomi që ka punuar 17 vjet në atë shtëpi ka deklaruar se më ka parë dy-tri herë për darkë në atë shtëpi bashkë me të tjerë njerëz. E imagjinoni dot, unë të kem ikur me zarfin plot para gjithë njerëzve. Ju betohem që e vërteta mbi financimet e fushatës elektorale do të dalë së shpejti në dritë. Shumë shpesh, unë dhe guraja ime jemi bërë viktima të akuzave të padrejta dhe gënjeshtrave. Edhe atyre që më akuzojnë se më pëlqen të kem marrëdhënie të mira me të pasurit, po ju them se nëse kjo do të ishte e vërtetë, nuk do kisha zgjedhur këtë zanat”. Sarkozi foli edhe për shumë çështje të tjera që shqetësojnë Francën, nga reforma e pensioneve te raportet me Gjermaninë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›