Arrestohet këshilltari i Bujar Bukoshit
Ilir Tolaj, ish-sekretar permanent i Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa aktualisht këshilltar politik i ministrit Bujar Bukoshi, u arrestua dje në Prishtinë, në kontekst të një hetimi penal për shmangie tatimi. EULEX-i, përmes një njoftimi për median, njofton se arrestimin e ka kryer Policia e EULEX-it dhe policët e Kosovës që janë pjesë e Task Forcës Antikorrupsion. EULEX-i, megjithëse nuk jep detaje, mediat kosovare theksojnë se i arrestuari është ish-sekretari permanent i MSH-së, Ilir Tolaj, aktualisht këshilltar politik në këtë ministri. Lidhur me këtë rast janë kryer bastisje në tri lokacione në Prishtinë, përfshirë një zyrë në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë. Bastisjet janë autorizuar nga një gjyqtar i EULEX-it i procedurës paraprake. Hetimet janë duke u kryer nga Policia e EULEX-it nën mbikëqyrje të zyrës së Prokurorisë Speciale (PSRK-së). Ndërkaq, me anë të një komunikate zyrtare, ministri i Shëndetësisë, Bujar Bukoshi, thekson se “në garantim të transparencës së plotë ka ofruar bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë me EULEX-in dhe Zyrën e Prokurorisë Speciale të Kosovës për adresimin e çështjeve që lidhen me garantimin e ligjshmërisë për çdo rast, pa e paragjykuar epilogun e hetimeve për rastin në fjalë”.
Arrestimin e Ilir Tolajt, Kryeministri Hashim Thaçi e ka cilësuar si fillim të suksesshëm ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Dëshiroj të theksoj se përgjegjësia është individuale e secilit. Unë do të respektoj dhe do të punoj maksimalisht në moton zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar kudo dhe ndaj kujdo qoftë”, ka thënë Thaçi. Ai nuk është i shqetësuar nëse ky rast i arrestimit të një pjesëtari të qeverisë së tij mund ta dëmtojë imazhin. “Imazhi i shtetit të Kosovës ndërtohet duke e luftuar korrupsionin. Prandaj po ndodh lufta kundër korrupsionit, e cila nuk do të jetë e lehtë dhe nuk do të jetë e shkurtër. Do të jetë e vështirë e gjatë, por me sukses të plotë. Për këtë i garantoj gjithë qytetarët”, tha ai.
I pyetur se deri kur do të tolerojë që brenda kabinetit të tij qeveritar do të lejohen të punojnë njerëz të dyshuar për krim dhe korrupsion, Thaçi tha se nuk duhet përzier politika me drejtësinë. “Objektiva ime edhe në fjalimin e drejtuar kombit para një muaji është vendosmëria e plotë që të jemi në ballë të luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar dhe ndaj të gjitha dukurive negative. Në këtë drejtim nuk do të ketë asnjë kompromis”, ka thënë Thaçi. Zëdhënësja e EULEX-it tha dje për BBC-në se në të dyja arrestimet e kryera nga policia e EULEX-it të martën në mëngjes, misioni ka shfrytëzuar mandatin e tij ekzekutiv. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, i tha BBC-së se priten edhe veprime të tjera të EULEX-it në luftën kundër 'dukurive negative' në Kosovë, meqë, sipas saj, janë duke u kryer edhe një numër hetimesh të tjera. Zonja Limdal tha se hetimet janë shtrirë edhe në veriun e Kosovës dhe, në veçanti, në rastin e dy incidenteve dhjetë ditë më parë.
Në një intervistë për BBC-në, ajo përjashtoi mundësinë e dërgimit të menjëhershëm të një njësiti të posaçëm policor në veri, megjithëse pranoi se po bëhen bisedime për krijimin dhe trajnimin e një njësiti të tillë që, sipas saj, do të jetë shumëkombësh.
#