E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, kompensimi kthehet në ferr

Mijëra dosje presin përgjigje, por AKKP nuk ka kapacitetet për të reaguar

Shkrirja e agjencive rajonale nëpër rrethe e ka kthyer procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave një torturë për shumë njerëz që kërkojnë të drejtën e tyre. Problemi qëndron te kapaciteti i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që nuk i përballon të gjitha flukset, të cilat vërshojnë nga rajonet e ndryshme të vendit. Individë të shumtë ankohen se nuk marrin në kohë përgjigjen dhe nëse ndodh, u duhet të plotësojnë nga e para dosjen me 14 pika. Sakaq, ish-pronarët e konsiderojnë procesin tepër të vonuar dhe burokratik. Ata shprehen se verifikimi i 8 mijë dosjeve brenda afatit kohor deri në fund të vitit 2011 është e pamundur, duke rrezikuar lënien jashtë nga procesi i kompensimit të pronarëve të ligjshme. Gazeta “Shqip” ka tentuar disa herë të kontaktojë me krerët e AKKP-së për të mësuar rreth detajeve të procesit dhe për të marrë përgjigjen që u mungon shumë pronarëve, por nuk ka pasur asnjë reagim nga drejtuesit.

Zvarritja

Procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave po ecën me ritme tepër të ngadalta, duke parë raportin e përfituesve në pesë vitet e fundit me numrin aktual total të ish-pronarëve. Që prej krijimit të agjencisë dhe fillimit të shpërndarjes së fondit, kanë përfituar rreth 1 mijë ish-pronarë, kurse fondi i shpërndarë nuk i kalon 25 milionë dollarë, në një kohë kur e gjitha fatura për kompensimin e kësaj kategorie arrin të paktën 4 miliardë dollarë për Tiranën. Sa u takon problematikave me zvarritjen e zbardhjes së dosjeve, njerëz të ndryshëm ankohen për ngatërresa të shumta, vonesa të paqena për kthimin e përgjigjes dhe humbje kohe e parash për vajtja-ardhjet në Tiranë, duke qenë se degët nëpër rrethe janë shkrirë. E gjithë puna voluminoze ka mbetur në dorë të specialistëve të pamjaftueshëm në Tiranë.

Pas Kushtetutës

Ende pa iu tharë boja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveria merr sërish përsipër të hartojë projektligjin që i jep të drejtë AKKP-së të rishikojë vendimet e mëparshme. Projektligji, i prezantuar pak ditë më parë nga ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, i cili ka punuar me projektin, parashikon se kërkesa për rishikim mund të paraqitet vetëm kundër vendimeve të ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark. Vendimet e ish-zyrave rajonale të AKKP-së në qark të ish-komisioneve vendore për kthimin dhe kompensimin e pronave, si edhe të ish-komisioneve të rretheve ose bashkive për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, për të cilat është shprehur gjykata me vendim gjyqësor përfundimtar dhe të formës së prerë nuk i nënshtrohen rishikimit sipas këtij ligji, por mund t’i nënshtrohen rishikimit sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Civile. Sipas projektligjit, drejtori i përgjithshëm i AKKP-së ka të drejtë të lërë në fuqi vendimin për dhënien e pronës, shfuqizimin e vendimit dhe zgjidhjen në themel të çështjes. Neni 3 i projektligjit parashikon një ndryshim në mënyrën e vlerësimit të pronës. Projektligji ka saktësuar kategorinë e pronave që i nënshtrohen procesit të vlerësimit, duke shtuar se procesit të vlerësimit të pronës i nënshtrohen domosdoshmërish prona nën formën e truallit, truallit industrial apo të çdo sipërfaqe tjetër toke. Projektligji parashikon në nenin 4 edhe ndryshimin e nenit 28 të ligjit aktual.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›