Skandali: Të këndohet maqedonisht

Shkup, 25 shkurt, NOA - Edhe një skandal i
radhës që del nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në Maqedoni, lidhur me
librat për nxënësit shqiptarë. Kësaj radhe, një libër muzike ka qenë tmerrues
për nxënësit e klasave të gjashta të shkollave fillore shqipe.
Denoncimi rreth kësaj është bërë nga prindërit e nxënësve shqiptarë, të cilët
kërkuar tërheqjen urgjente të këtij libri. Libri Arsimi muzikor për klasën e VI i autores Veselinka Maxharova Andova
është me përmbajtje kryesisht nacionaliste maqedonase, duke filluar me himnin maqedonas,
pastaj këndimin e këngëve për heronjtë maqedonas, ku shprehet gjuha urrejtëse,
sidomos ndaj turqve si dhe këngë të tjera, që nga nxënësit shqiptarë janë
vlerësuar si tejet irituese.
Në përpilimin e këtij libri të muzikës është nënshkruar edhe një redaktor
shqiptar, por edhe një bashkautorë shqiptare. Muzikologu Zijadin Ismaili
theksoi për agjencinë e lajmeve INA se është i irrituar nga kjo gjë që ka
ndodhur dhe që mban vulën e Ministrisë së Arsimit.
Është e qartë se në duart e nxënësve janë librat kryesisht në gjuhën
maqedonase, përplot me këngë dhe tekste nacionaliste maqedonase. Por ata nuk
janë fajtor, por ne jemi fajtor, prindërit dhe shkollat shqipe. Askush nuk e
ngrit zërin. Unë ofrova librat e mija që kanë vlerësime të larta profesionale
dhe janë të dedikuara për shkollat fillore, mirëpo ato u refuzuan dhe askush
nuk dha përgjigje të prerë, theksoi muzikologu Ismaili, autorë i disa veprave
muzikore dhe librave për shkollat fillore, që deri para disa viteve
aplikoheshin në disa shkolla.
Një reagim me shkrim ka mbërritur edhe nga këshilli i prindërve nga shkolla
fillore në Shemshovë, e cila ka bërë të ditur se ky libër është tmerrues dhe me
përmbajtje kryesisht në gjuhën maqedone.
Në këtë libër 40 për qind ka përmbajtje dhe tekst në gjuhën sllavo-maqedonase.
Nuk ka asgjë nga tradita dhe muzika shqiptare. Kjo është një palaço-broshurë që
tenton të zhdukë kulturën shqiptare. Nuk ka asgjë për këngët shqipe,
kompozitorët shqiptarë, por gjithçka përmban propagandë sllavo-maqedonase.
Vallë për këto të drejta bënë luftë shqiptarët, që fëmijët të mësojnë
maqedonisht, ka theksuar kryetari i këshillit të prindërve të kësaj shkolle,
Rexhep Murseli, duke kërkuar që urgjentisht ky libër të tërhiqet nga procesi
arsimor. Edhe në shkollat e tjera ka pasuar reagime të njëjta lidhur me këtë
libër, duke i`a dërguar apelin edhe Ministrisë së Arsimit për tërheqjen e këtij
botimi.
NOA-INA