Skandali i kartave dhe serioziteti i qeverisë Nga "Faktori Plus"Qeveria shqiptare po kërkon të bëjë propagandë në vend të që të plotësojë detyrimet që ajo ka përballë shtetasve shqiptarë lidhur me dokumentet e identitetit. Nesër në Kuvendin e Shqipër
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Skandali i kartave dhe serioziteti i qeverisë Nga "Faktori Plus"Qeveria shqiptare po kërkon të bëjë propagandë në vend të që të plotësojë detyrimet që ajo ka përballë shtetasve shqiptarë lidhur me dokumentet e identitetit. Nesër në Kuvendin e Shqipërisë, shumica parlamentare do të paraqesë dhe do të miratojë një projektrezolutë, e cila mbështet punën e qeverisë për liberalizimin e vizave. Propozimi, i cili i ngjan më shumë një provokimi ndaj opozitës se sa një nisme që vlen për diçka tjetër, në të vërtetë nuk qëndron as politikisht dhe as teknikisht. Propozimi nuk qëndron politikisht, pasi në kushtet e plotësimit të standardeve për vizat bëjnë pjesë dhe funksionimi i demokracisë dhe të drejtat e njeriut, që kjo qeveri po i shkel me të dy këmbët, duke ndërtuar një shtet klasor dhe duke çuar në ekstrem krizën me opozitën. Por kjo është njëra anë e medaljes. Skandali më i madh është se kjo qeveri nuk është në rregull as me kushtet teknike. Faktori Plus do t’u paraqesë pas pak një raport investigativ, mbi gabimet që kanë Kartat e Identitetit, në mënyrën se si është llogaritur Numri i Identitetit që gjendet në secilën Kartë dhe që është i eksportuar edhe në pasaportën e re biometrike, dokumenti ynë i sigurisë për të marrë vizat në BE. Mijëra nga këto pasaporta janë printuar me numër identiteti të llogaritur gabim. Madje skandali është se gabimi nuk është statistikor, pra nuk vjen nga ndonjë ligësi, por është i ç’rregullt dhe vjen nga papërgjegjësia. Faktor plus ka hetuar dy dokumente, dokumentet e mia dhe të të ftuarit tim në studio, Ilir Beqja. Njëri i ka në rregull, tjetri i ka gabim. Të gjitha formulat e llogaritjes janë publike dhe zyrtare, miratuar nga vetë qeveria shqiptare. Pasaporta ime dhe e Ilir Beqjes është po ashtu publike dhe mund të verifikohet. Atëherë lind pyetja kush është përgjegjës për këtë gabim në dokumentet tona të sigurisë së lartë?
Natyrisht, Ministri i Brendshëm Lulzim Basha këtu është para një skandali, që buron në mënyrë spontane nga papërgjegjësia me të cilën ai bën çdo punë që i ngarkohet. Por në këtë rast, ai ka hedhur në erë, jo vetëm sigurinë e dokumenteve të identifikimit, por dhe një nga kushtet që Shqipëria duhet të plotësojë për liberalizimin e vizave në aspektin teknik, dhe që është siguria e dokumenteve. Qeveria shqiptare, e cila po lavdërohet se ka rritur numrin e pasaportave të printuara, dhe kartave të identitetit, duhet të rikthehet pas dhe të rimbledhë gjithë pasaportat dhe kartat e identitetit të prodhuara gabim, ti asgjësojë ato dhe t’u japë falas qytetarëve që ua ka printuar gabim dokumentet e reja. Nuk presim të kërkojë as ndjesë, por natyrisht nuk do të presim të na akuzojnë se po pengojmë liberalizimin e vizave. Faktor Plus i vë publikisht në dispozicion Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dy kartat e identitetit që do të demonstrojmë në studio dhe ajo të nisë hetimin, duke pranuar që para drejtësisë të shkojmë ose ne si gazetarë ose Ministri Basha. Skandali është se qeveria në vend që të merret seriozisht me këto çështje, harxhon kohën të provokojë opozitën, lidhur me vonesën që ajo vetë u ka shkaktuar shqiptarëve për të lëvizur të lirë si të gjithë qytetarët e tjerë të rajonit.