E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali i pikturave, zgjidhet kreu i ri i QK

KORÇE - Grigor Çaniështë emëruar drejtor i Qendrës Kulturore "Vangjush Mio" në Korçë, pas skandalit të vjedhjes së veprave të artit. Emërimi i kompozitorit të njohur korçar u bë me dije mëngjesin e djeshëm nga kryebashkiaku, Niko Peleshi. Vendimi u mor, pasi disa ditë më parë Bashkia e Korçës pezulloi nga detyra drejtuesin e kësaj qendre, Vladimir Topi. Tashmë, ai ndodhet në "arrest shtëpie" dhe akuzohet për "Shpërdorim detyre".

Sipas burimeve nga policia dhe Prokuroria, Topi është personi përgjegjës për zhdukjen e veprave të artit në Galerinë "Guri Madhi" dhe konkretisht të 27 punimeve
të 'piktorit të popullit', Vangjush Mio. Burime zyrtare nga Bashkia e Korçës pohojnë se Grigor Çani do të jetë drejtor i komanduar i Qendrës Kulturore, në varësi së cilës ndodhet edhe galeria e arteve "Guri Madhi". Mësohet se Çani do të drejtojë përkohësisht këtë institucion deri në përfundimin e hetimeve që po bëhen për zbardhjen e së vërtetës mbi zhdukjen e veprave të arit. Sipas burimeve nga policia lokale dhe prokuroria, po hetohet intensivisht jo vetëm për zbardhjen e këtij skandali, por dhe të skandalit tjetër që ka të bëjë me zhdukjen e punimeve në qeramikë.
(e.m/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›