E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruta Meilutyte, fëmija i "artë" i Olimpiadës

LONDER-Një fëmijë i artë! Kështu kanë nxituar ta quajnë Ruta Meilutyte, lituanezen e lindur në vitin 1997 dhe që banon në Angli. Ajo i ka habitur të gjithë në garën e notit 100 m stil bretkosë, ku ka triumfuar përpara favorites amerikane Rebeka Sono dhe japonezes Suzuki. Ruta tashmë i ka bërë të gjithë për vete, sidomos me lotët e saj të çiltër pas përfundimit të garës.
Ndoshta as vetë nuk e besonte që në një moshë kaq të re, të fitonte një medalje të artë. Në mëngjes, lituanezja dha rekordin më të mirë të vitit, duke i bërë të gjithë ta shohin si një rivale të denjë.

Një vit më parë, kur ishte 14 vjeç, ajo pati fituar Europianin për të rinj dhe tashmë po bëhet kampione pikërisht në Angli, vendi ku i ati ka zgjedhur ta rrisë. "Në 2010-tën më solli këtu në Plujmuth. Unë doja të qëndroja në shtëpi, por babai më tha se këtu do të më stërviste më mirë", thotë adoleshentja. Ruta ka një fizik vërtet për t'u pasur zili, 172 cm e lartë dhe peshon 64 kg. Me vënien në "rresht" të kampioneve si Rebeka Soni apo Julia Efimova, ajo shihet si një talent i ri i këtij sporti.

"Lojërat Olimpike janë plot surpriza, nuk e di se çfarë do të ndodhë në finale", tha ajo dje në mëngjes. Por, në mbrëmje erdhi dhe kurorëzimi si mbretëresha e kësaj gare. Me daljen e saj, të Ye Shiuen të Kinës apo të disa notareve të tjera nga Lindja, duket se do të thyhet edhe miti i Felps apo Lohte. Shumë talente të rinj janë gati të zënë "skenën" dhe Ruta është një prej tyre. Është vetëm 15 vjeç dhe të gjitha notaret janë të paralajmëruara nga ky "fëmijë i artë".

(d.b/A.latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›