Skandali i vergine 50 mije tone

“Të paktën një sasi prej 30 deri në 40 mijë tonë naftë “vergine” duhet të jetë futur në tregun vendas”, deklaron Prifti.
Deklaratat e ish-ministrit se gjatë viteve 2007-2009 janë kontrabanduar sasira të mëdha karburantesh konfirmohen tashmë edhe nga prokuroria.
Top Channel zotëron një dokument zyrtar të organit të akuzës, ku zbulohet se vetëm në fundin e vitit 2009 janë kontrabanduar rreth 16 mijë e 685 tonë naftë “vergine”, ndërkohë që jozyrtarisht burime konfidenciale nga prokuroria thonë se në total janë kontrabanduar rreth 50 mijë tonë naftë, një shifër e përafërt kjo me atë të deklaruar nga Prifti.
Dokumenti i prokurorisë konfirmon edhe skemën e trafikut, sipas versionit të denoncuar nga ish-ministri. Nafta “vergine” blihej nga kompania “Euroil” dhe më pas shpërndahej nga disa shoqëri të tjera, apo subjekte fizike transporti në tregun brendshëm, pa u ekseportuar.
Dokumenti i prokurorisë rrëzon edhe pretendimet e institucioneve qeveritare se zanafilla e hetimeve për konrtrabandën është bërë pas denonciomeve të tyre dhe jo ish-ministrit, pasi në të thuhet se, hetimi është regjistruar kryesisht nga prokuroria pas denoncimeve në shtypin e shkruar dhe median vizive dhe pas verifikimeve, sic është dhe marrja në pyetje e ish-ministrit Prifti.
“Qeveria ka pasur dijeni, sa ka ndihmuar prokurorinë i takon prokurorisë ta sqarojë. Gjatë kohës që unë kam qenë në qeveri ia kam thënë kryeministrit dhe ai i ka kërkuar ministrit të Financave të hetonte. Por më pas unë ika dhe nuk i di rezultatet e hetimit”, nënvizon Prifti.
Përmes kësaj skeme abuzimi arrinte në dhjetëra milionë dollarë dhe deri tani prokuroia ka arrestuar rreth 13 shtetas, por që për ish-ministrin janë vetëm maja e ajsbergut, pasi lidhjet shkojnë shumë më thellë.
“Ka edhe kompani të tjera të përfshira, rrjeti është më i gjerë dhe ka edhe lidhje politike. Janë ndaluar disa persona që kanë kryer veprimtarinë, por detyra e prokurorisë është të gjejë lidhjet në institucione të këtyre personave”, thekson Prifti.