E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandali me të sëmurët me kancer, ilaçet 8-fish më të shtrenjta

Spitali i Onkologjikut ne QSUTMinistri i Shëndetësisë Halim Kosova ka zbuluar para mediave një tjetër skandal në spitalin e QSUT-së në Tiranë, konkretisht në pavijonin e Onkologjikut. Ilaçet për pacientët më tumore janë blerë 8-fish më shumë se çmimi real, ndaj dhe Kosova ka urdhëruar bllokimin e tenderit të zhvilluar. Procedurat për blerjen e medikamenteve pritet të përfundojnë brenda 15 majit.
Ministri
“Nuk mund të pranoj që një ilaç në onkologjik të shitet 8-fishin e normës që normalisht duhet të jetë. Unë do i kërkoj falje pacientëve 100 herë, por kemi bërë përpjekjet maksimale dhe që sot duhet të nisë furnizimi që të mos mungojë asgjë, ndërkohë që tenderi kryesor duhet të mbarojë  deri në 15 maj”, tha Halim Kosova, ministër i Shëndetësisë. Pak ditë më parë ndërsa foli para mediave ministri Kosova tha publikisht se ministrat që kanë drejtuar para tij kanë abuzuar me buxhetin, dhe se ky buxhet nuk ka shkuar i gjithi për pacientët. Ai premtoi se nën drejtimin e tij spitalet nuk do vuajnë nga mungesa e ilaçeve.
Shefat e rinj
Ndërkohë ministri Kosova ka komentuar edhe urdhrin më të fundit të tij, në lidhje me rikthimin e shefave të shërbimit në QSUT. Sipas tij, vendimi ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm dhe se procesi ka qenë transparent. “Vendimi i dytë i këshillit të ministrave për krijimin e universitetit mjekësor të Tiranës na krijon akoma më shumë mundësi për të bërë dhe përzgjedhjen e strukturave të domosdoshme në të mirë të fakultetit, studentëve dhe pacientëve”, tha Kosova. Ministri i Shëndetësisë, përmes një urdhri të ditëve të fundit , kërkoi revokimin e urdhrit të ish- ministrit të Shëndetësisë, lidhur me organizimin dhe shefat e rinj të shërbimeve në QSUT. Ministri i Shëndetësisë urdhëroi rikthimin e organizimit të shërbimeve dhe shefat e tyre sipas strukturës dhe pozicioneve te mëparshme. Kosova tha se ka pasur një reagim pozitiv nga ana e shumë figurave të larta të mjekësisë shqiptare, të cilët e kanë parë këtë hap si mënyrën më të mirë për ti kthyer dinjitetin Fakultetit të Mjekësisë.
Incidentet spitalore
Këto deklarata kreu i Shëndetësisë i bëri gjatë prezantimit të nismës më të fundit që do të zbatohet në spitale për raportimin e incidenteve në spitale. Ky projekt financohet edhe nga USAID dhe ka si qëllim, raportimin nga ana e personelit shëndetësor, dhe sidomos pacientëve, që të bëjnë publike çdo lloj incidenti që ndodh në spitale, duke filluar që nga sjellja mjek-pacient, e deri të diagnoza e gabuar që shpesh herë ka çuar në dëmtime serioze të shëndetit, për të mos lënë pa përmendur edhe paaftësinë dhe pakujdesinë e mjekëve, që ka çuar deri në vdekjen e shumë pacientëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›