Skandali në Bashkinë Fier, 4 zyrtarë nën hetime për shpërdorim detyre e ndikim të paligjshëm, gjykata jep masat e sigurisë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka goditur një skemë të dyshuar shpërdorimi detyre dhe ndikimi të paligjshëm në Bashkinë Fier dhe Drejtorinë Rajonale të Tatimeve.
Si rezultat i hetimeve intensive, janë dhënë masa sigurimi për katër zyrtarë të lartë, të dyshuar se kanë lejuar mospagesën e plotë të taksave nga subjekte private, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm buxhetit të shtetit.
Hetimet, të cilat përfshinë edhe metoda speciale, zbuluan detaje shqetësuese rreth mënyrës sesi zyrtarët e lartë kanë abuzuar me pozicionet e tyre. Procedimi penal ka në fokus veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Roli i drejtuesve në skemën e abuzimit
Në qendër të hetimeve janë katër emra kyç:
A.H., Drejtoreshë e Përgjithshme e Taksave dhe Urbanistikës në Bashkinë Fier, dyshohet se në pesë episode ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek Drejtoresha e Taksave dhe Tarifave Vendore, me qëllim lëshimin e vërtetimeve dhe përllogaritjen e taksave nën vlerën reale. Ajo gjithashtu nuk ka marrë masa për vendosjen e pajisjes fiskale në parkimet e Bashkisë, duke shkaktuar një shmangie tatimore të lartë, me një vlerë të ardhurash të pakrijuara prej 40,912,640 lekësh.
A.C., Drejtore e Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Fier, dyshohet se ka lëshuar fatura taksash dhe tarifash mbi vlerën reale për subjekte të caktuara, të cilat më pas janë ulur tej parashikimeve të vendimeve të Këshillit Bashkiak pas ankesave. Ajo, ashtu si A.H., nuk ka marrë asnjë masë për fiskalizimin e pikave të parkimit.
M.D., Sekretar i Përgjithshëm i Bashkisë Fier, dyshohet se ka ushtruar ndikim të paligjshëm tek A.C. për t’i ulur vlerën e detyrimeve një subjekti privat, shtetasit A.M.
V.Ç., Drejtor i Drejtorisë Vendore të Kontrollit Tatimor Rajoni Jugor, dyshohet se në Maj 2024 ka urdhëruar inspektorët tatimorë të kryejnë kontroll në një subjekt tregtar pa pasur më parë një urdhër pune nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Më tej, nuk ka ndjekur procedurën ligjore për rikontroll dhe nuk ka mbikëqyrur fushatën sensibilizuese, duke mos kontrolluar asnjë subjekt tjetër.
Masat e sigurimit të vendosura nga gjykata
Pas kërkesës së Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka pranuar masat e sigurimit, duke vendosur:
“Arrest në shtëpi” për A.H., e dyshuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm” dhe “Shpërdorim detyre”.
“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për V.Ç., i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për A.C., e dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
“Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për M.D., i dyshuar për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm”.
/rtsh.al/