E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skandali, ngatërrohen kodet e nxënësve

Nxënësit e disa shkollave mbahen “peng” edhe një muaj pas provimeve

Edhe pse kanë kaluar 17 ditë që nga shpallja e listës së parë të rezultateve të provimeve me zgjedhje, shumë maturantë vazhdojnë të mos dinë notën me të cilën janë vlerësuar në këto teste. Skandali i ruajtur në heshtje i ka alarmuar edhe më shumë nxënësit, të cilët ndihen të fyer dhe të zhgënjyer që shqetësimi i tyre nuk po merr ende zgjidhjen dhe drejtimin e duhur. Dy ditë më parë janë publikuar listat e treta të notave të maturantëve të përjashtuar nga rezultatet e shpallura më datë 16 korrik. E megjithatë ekziston ende një përqindje e konsiderueshme maturantësh, të cilët nuk janë në dijeni të vlerësimit që u është bërë tezave të lëndëve me zgjedhje.

Burime nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëjnë të ditur se shkaku kryesor për bllokimin e këtyre emrave janë gabimet teknike, si pasojë e ngatërresës së barcod-eve të nxënësve. Gabim njerëzor apo teknik, e vërteta është se kjo rëndon mbi supet e maturantëve, të cilëve u janë ndërruar barcod-et me njëri-tjetrin. Kjo ka krijuar një problem edhe më të madh, pasi tashmë në database janë regjistruar notat e maturantëve, por që fatkeqësisht nuk korrespondojnë me emrat përkatës. Kjo do të thotë që nëse një nxënës i dalluar është vlerësuar me 10-të, gabimisht nota e tij i është atashuar një emri tjetër, ndërsa ai për fat të keq ka në krah të të dhënave personale një notë, që në fakt nuk i përket.

Tri ditë më parë, burime nga APRIAL-i dhe Agjencia e Vlerësimit të Nxënësve sqaruan se një nga shkaqet që çoi në këtë avari ishte konstatimi i përgjigjeve identike në testet e lëndëve me zgjedhje. Edhe për këtë vit, njësoj si përvojat e kaluara, është regjistruar një shifër e lartë nxënësish, të cilët kanë kopjuar fjalë për fjalë përgjigjet e njëri-tjetrit.

Ndëshkimi

Ku ka fitues, ka edhe humbës, thotë një shprehje e vjetër. Edhe pse përpara kësaj situate nuk dihet ende në ka fitues. Qëllimi për të ndihmuar nxënësit apo për t’i toleruar sadopak ata, mund të ketë qenë i mirë, por siç duket askush nuk mendoi se e gjitha kjo do të kishte një fund me dhembje. Kjo do të thotë që si nxënësit kopjacë, edhe administratorët tolerantë do të ndëshkohen për shkeljen e rregullave të maturës shtetërore.

Më 30 qershor, datë kur u zhvilluan testet e lëndëve që nxënësit kishin përzgjedhur me dëshirën e tyre, Ministria e Arsimit kishte përcaktuar nga një administrator në çdo klasë. Roli i tij ishte të monitoronte me kujdes dhe përgjegjësi mbarëvajtjen e zhvillimit të testeve, por sidomos lëvizjet e nxënësve. Kjo do të thotë që ata nuk duhet të toleronin apo favorizonin asnjë nxënës, por të ruanin me përpikëri secilin prej tyre. Fakti që së fundmi po qarkullojnë dyshimet mbi kopje, do të thotë që monitoruesit nuk kanë qenë aq të vëmendshëm sa duhet të ishin. Kjo deklaratë implikon edhe administratorët, çka nënkupton se penalizimet do të jenë të dyfishta, si për nxënësit, ashtu edhe për mësuesit.

Formulari A2

Nisur nga këto parregullsi me të cilat janë ndeshur nxënësit, por edhe vetë specialistët e arsimit, është vendosur që dorëzimi i formularit të preferencave të bëhet më datë 6 gusht. Disa ditë para publikimit të këtij skandali, Ministria e Arsimit dhe e Shkencës kishte parashikuar që plotësimi dhe dorëzimi i tij të bëhej brenda datës 2 gusht. Por, të vënë përballë këtyre kushteve, u vendos që dorëzimi i formularit A2 të bëhet më 6 gusht. Shtyrja e këtij afati erdhi si pasojë e ditëve të pakta që do të kishin në dispozicion nxënësit e përjashtuar nga listat. Fill pas publikimit të notave, maturantët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin dhe do ta dorëzojnë atë më datë 6 gusht, çka nënkupton se rezultatet do të publikohen përpara ditës së premte.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›