Holanda i jep lamtumirën Afganistanit
Holanda i ka dhënë fund misionit të saj ushtarak në Afganistan pas katër vjetësh dhe tërheqjes së 1850 ushtarëve. Bëhet fjalë për kontingjentin e parë të Nato-s që vendos të largohet nga vendi. Komanda e operacioneve që ju ishte besuar trupave holandeze ka kaluar në duart e ushtarëve britanikë dhe australianë, në një ceremoni të shkurtër, gjatë së cilës forcat aleate dhe NATO kanë përgëzuar punën e ushtarëve holandezë, të konsideruar si më efektivët e misioneve të huaja në vend. Gjatë katër viteve të qëndrimit të kontingjentit holandez në Afganistan, plot 24 ushtarë humbën jetën. Vendimi për t’u tërhequr erdhi në fund të një debati publik shumë të ndezur, që nisi me kërkesën nga ana e NATO-s që Holanda ta zgjaste më tej pjesëmarrjen në mision dhe rrëzimin e koalicionit qeveritar pikërisht mbi temën e luftës në Afganistan. Por edhe pse tërheqja ka ndodhur, nuk duket se kjo do t’i ndërpresë polemikat: në Holandë po diskutohet për pasojat që do të ketë mbi vendin tërheqja e trupave, nisur kjo edhe nga deklarata e një zëdhënësi taleban që citohet në të përditshmen vendase, “Volksrant”. Sipas asaj që shkruhej aty, ai përgëzonte me gjithë zemër qytetarët dhe qeverinë holandeze për vendimin e rëndësishëm për të tërhequr ushtarët e tyre nga Afganistani. Por sidoqoftë, ushtarët holandezë meritojnë vlerësim për efikasitet në detyrë dhe puna e tyre do të kujtohet si ndër më pozitivet e këtij operacioni ushtarak. Trupat ishin dislokuar në provincën e Uruzganit, në jug të vendit, ku zhvilluan një strategji për qeverisjen e këtij territori të quajtur 3D: zhvillim, diplomaci dhe mbrojtje (development, diplomaci, defence). Plani arriti rezultate të mira, madje kohët e fundit vetë Presidenti amerikan, Barack Obama, e kishte cilësuar si të jashtëzakonshme mbështetjen e ushtarëve holandezë në luftën në Afganistan. Shefi i ushtrisë, gjenerali Peter Van Uhm, tha se siguria është përmirësuar në provincën Uruzgan gjatë zhvendosjes së trupave holandeze. Megjithatë ai pranoi se shumë gjera do të ndodhin pas largimit të tyre. Ajo çka është për t’u shqetësuar ka të bëjë me faktin se shumë vende të tjera, si pasojë e presionit politik dhe rritjes së ndjeshmërisë së qytetarëve ndaj luftës, kanë vendosur të tërhiqen shumë shpejt. Largimi i kontingjentit holandez do të kishte pa dyshim pasoja konkrete shqetësuese për NATO-n, e cila është përpjekur gjatë gjithë kësaj kohe që të rrisë numrin e trupave nga vendet e saj anëtare, për të marrë pjesë në luftimet në Afganistan. Për sa u përket amerikanëve, ata kanë dërguar edhe 30 mijë trupa të tjerë shtesë në këtë vend. Ndërsa një tjetër shenjë e dobësimit të kësaj strukture është edhe dobësimi i mbështetjes që Kanadaja i jep kësaj lufte me planifikimin e tërheqjes së 2800 trupave që ka çuar në Afganistan në fund të vitit 2011. Kontingjenti kanadez, që është i treti për nga përmasat pas Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe është shumë i rëndësishëm, sipas NATO-s. Ndërkaq, edhe Britania e Madhe ka deklaruar se do t’i tërheqë trupat e saj në 2014. Vetë SHBA-ja ka premtuar se do të nisë tërheqjen e pjesshme të trupave në verën e 2011-s. Por nuk është e thënë që kjo tërheqje mund të shërbejë si “shkëndijë” për vendet e tjera. Megjithëse NATO ka dashur të ulë rëndësinë e kësaj tërheqjeje, analistët besojnë se kjo është një kohë delikate për Aleancën me shtimin e numrit të viktimave dhe dyshimeve për strategjinë e saj. “Tërheqja e trupave holandeze nuk do të ndikojë në punën e forcave ndërkombëtare në këtë vend”, tha zëdhënësi i ISAAF.
#