Skandalin e parë në Lojërat Olimpike e shënojmë ne
Edhe pse është një lajm që ka dalë që ditën e djeshme, sot dhjetëra media të rëndësishme botërore raportojnë se peshëngritësi Hysen Pulaku është i pari sportist që përjashtohet nga Lojërat Olimpike.
Wall Street Journal, Washington Post, BBC e ESPN raportojnë lajmin, për shkak se sot ka folur zyrtarisht Komiteti Olimpik Ndërkombëtar. Drejtori për komunikimet, Mark Adams, tha: Ne shpresojmë se ky do jetë një mesazh se ne do kapim këdo që përdor doping.
Sipas BBC, 19 vjeçari shqiptar mund të përballet me një sanksion prej dy vitesh nga federata ndërkombëtare e peshëngritjes.
Trajneri i tij personal, njëkohësisht edhe xhaxhai i tij, Sami Pulaku, deklaroi se nuk do kontestohet vendimi.
Wall Street Journal thotë se ky është peshëngritësi i tretë shqiptar që kapet me doping nga Shqipëria, duke e bërë shqetësuese situatën.
Ndërsa shumë media e përfshijnë rastin e Pulakut në paradën e gjërave që kanë ndodhur për herë të parë në olimpiadë si më poshtë:
Medalja e parë e artë: Yi Siling nga Kina.
Skandali i parë i dopingut: Peshëngritësi shqiptar, Hysen Pulaku.
Zhgënjimi i parë: Michael Phelps mezi kualifikohet në garën e tij të parë.
Përplasja e parë: Ekipi i xhudos i Libanit nuk pranon të stërvitet pranë ekipit izraelit.