Ndoka shkëputet nga PS, paralajmëron aleancë me PD-në
Nard Ndoka paralajmeron shkeputjen nga PS per te kaluar ne koalicion me PD-ne.
“Ne jemi deklaruar qartë që nëse PS mban një qëndrim të kundërt me kërkesat e aleatëve të vetë dhe partive të tjera opozitare nuk do të jemi pjesë e koalicionit me PS. Ne kemi vendosur një gjë të tillë, nuk e shohim PS si një aleate, partnere e ardhshme. Nuk ka një fizionomi për ndërtimin e koalicioneve për zgjerimin e tyre, për të krijuar një frymë opozitare në vend, por disa kalkulime nëpër zyrat e PS e kanë nxjerr lidershipin jashtë realitetit politik duke e bërë atë të largët për partitë aleate por dhe për qytetarët”, thotë Nard Ndoka per “AS”.
Ndoka mohon të ketë patur një bisedë konkrete për postin e zëvendministrit të Brendshëm, siç u përfol në media. Nuk e kushtëzon marrëveshjen me demokratët me poste për shkak të kohës së kufizuar që mbetet deri në zgjedhjet e përgjithshme, por nuk do të refuzojë edhe nëse ka të tilla. Por ajo që është e sigurtë është shkëputja nga koalicioni opozitar. Lidershipi socialist nuk di të ndërtoje koalicion dhe as frymë opozitare, thotë Ndoka.
“Me PD ka pasur ngrirje të marrëdhënieve politike që në kohën kur PDK u nxorr nga qeverisja në mënyrë të njëanshme. Sot janë tejkaluar ato raporte midis palëve dhe nuk shohim ndonjë pengesë në fund të fundit për tu takuar dhe për të nënshkruar marrëveshje për një bashkëpunim në të ardhmen me këtë formacion politik për të ndërtuar një aksion politik së bashku”, vijon Ndoka.