Skandaloze, gjyqtarët masakrojnë Vllazninë

Foto ilustruese
Edvin Hoxha e anësori Ziri degjenerojnë sfidën në Pogradec.
Penallti inekzistente vendësve, gol i anuluar shkodranëve.
Skandaloze! Kështu mund të përkthehet ajo çka arbitrat e ndeshjes së djeshme bënë në Pogradec. Një penallti inekzistente për vendësit akorduar nga gjyqtari kryesor, Edvin Hoxha dhe një gol tejet i rregullt, i anuluar shkodranëve në pjesën e dytë nga anësori Ziri.
Vendësit zbrisnin në fushën e tyre të uritur për pikë, duke qenë se gjendeshin në vend të parafundit me pikë të barabarta me Vllazninë. Ndërsa Vllaznia kërkonte një fitore për të mbajtur gjallë shpresat për vendin e katërt në renditje, i cili të jep shanse për të marrë pjesë në kupat e Europës. Kështu që takimi pritej të ishte i nxehtë dhe ashtu ndodhi. Që në minutën e dytë kemi përplasje mes lojtarëve në fushë dhe arbitri nxjerr kartonin e parë të verdhë kundër shkodranëve. Më pas loja përqendrohet më shumë në gjysmëfushë, ku iniciativën më të madhe e kanë vendësit. Ndërsa shkodranët, me një modul loje disi të çuditshëm (Smajli luante në qendër të mesfushës), nuk arrijnë që të rrezikojnë portën e Petrovskit. Ndërkohë rasti më i diktueshëm i pjesës së parë ishte momenti kur Tanushi u rrëzua në zonë dhe arbitri dha penallti. Por, duhet thënë se më shumë sesa 11-metërsh kundër Vllaznisë, ishte një simulim i dukshëm i sulmuesit të Pogradecit, ndaj ky i fundit, në ndryshim nga ç’bëri arbitri Hoxha, duhej ndëshkuar me karton të verdhë. Gjithsesi, gjuan Çipi dhe Pogradeci kalon në avantazh. Në minutat në vazhdim kemi sërish liqenorët që janë më kërkues, kurse kuqeblutë me një Jabllan “të fikur” dhe me Hajdari të lënë “jetim” në sulm nuk arrijnë të rrezikojnë. Pjesa e dytë starton me disa ndryshime si në lojtarë dhe në module, kryesisht te Vllaznia. Një gjë e tillë e bën lojën edhe më të bukur, pasi miqtë shikojnë më shumë nga porta. Por në momentin e tyre më të mirë, vjen autogoli disi i pafajshëm i kapitenit Belisha, duke bërë që Pogradecarët të dyfishonin dhe të ishin më të qetë. Por nuk mund të pajtohet me këtë rezultat Rudi Vata, i cili hedh në fushë edhe Erkoçeviç. Pikërisht ky i fundit bëhet edhe katalizator i sulmeve të miqve nga Shkodra. Dhe goli i parë i kuqebluve nuk do vononte, ku pas një goditjeje me kokë e Krajës, vjen edhe këmba e Hajdarit që lehtësisht devijon topin në rrjetë. Vata beson se mund të kthejë gjithçka, ndaj hedh në sulm edhe të riun Guri. Ky i fundit në momentin e parë ndalet në pozicion jashtë loje nga anësori Ziri, paçka se lojtari ishte totalisht në lojë dhe më pas erdhi momenti i supergafës, po e anësorit Ziri. Erkoçeviç nuk arrin të devijojë topin në portë, por në fundore sfera kapet nga një tjetër lojtar i Vllaznisë, i cili e kthen sërish në zonë dhe aty Erkoçeviç, i lirë dhe i mbajtur në lojë nga Drazhanin i cili ishte gati në vijën fatale të portës, shënon. Anësori në mënyrë paradoksale ngre flamurin lart për jashtë loje. Reagim i justifikueshëm i shkodranëve, ndërsa trajneri Vata nuk arrin t’u besojë syve. Gjithsesi mbyllet aty, pasi deri në fund nuk ka më raste të pastra për shënim. Si përfundim, një trepikësh aspak i merituar, i dhuruar skuadrës së drejtuar nga tekniku Ylli Çekiçi dhe një tjetër penalizim sërish nga “xhaketat e zeza” për ekipin e Rudi Vatës.
Laçi-Shkumbini/ Shtyhet ndeshja, akuzohet FSHF-ja
Ndeshja mes Laçit dhe Shkumbinit, e parashikuar të luhej dje në stadiumin e Krujës, është shtyrë për ditën e hënë. Lajmin e kanë konfirmuar drejtuesit e të dyja klubeve, të cilët nuk e kanë pritur aspak mirë këtë vendim. “Arsyeja mbetet e thjeshtë, pasi Kastrioti ka një takim deciziv vetë në Krujë dhe moti me shi i ditës ka bërë që impianti të jetë i përshtatshëm për vetëm për një sfidë”, ka thënë presidenti i Laçit, Pashk Laska. Ndërkohë më i ashpër ka qenë reagimi nga drejtuesit e klubit peqinas. Në një deklaratë, shefi i klubit, Astrit Isaji, shfryu kundër FSHF-së. “Jemi të indinjuar në lidhje me vendimin e federatës, e cila në mënyrë të çuditshme, e aq më tepër disa orë përpara zhvillimit të ndeshjes, na njofton që ndeshja nuk do të luhet. Ka qenë një vendim absurd, i cili na ka prishur jo pak punë”, ka pohuar Isaji.
Superiore/ Java 20
Dje
Pogradeci-Vllaznia 2-1
Shënues: Çipi 23 (p), Belisha 56′ (autg)/ Hajdari 64′
Sot
Teuta-Tomori 17:00
Nesër
Flamurtari-Bylisi 15:00
Kastrioti-Skënderbe15:00
Tirana-Apolonia 17:00
Të hënën
Laçi-Shkumbini 16:00
Kamza-Dinamo 16:00RENDITJA
Nr. Ekipi ND F B H GSH GP P
1. Skënderbe 19 12 5 2 34 12 41
2. Tirana 19 12 4 3 26 15 40
3. Teuta 19 12 4 3 22 12 40
4. Kastrioti 19 9 4 6 31 22 31
5. Flamurtar 19 8 6 5 26 16 30
6. Vllaznia 20 8 3 9 30 26 27
7. Bylisi 19 7 5 7 32 29 26
8. Shkumbini 19 7 5 7 26 30 26
9. Laçi 19 7 6 6 18 22 21
10. Tomori 19 6 2 11 24 34 20
11. Kamza 19 5 3 11 14 24 18
12. Pogradec 20 6 2 12 18 33 17
13. Apolonia 19 3 5 11 17 32 14
14. Dinamo 19 2 6 11 14 25 9
SHËNIM: Dinamo minus 3 pikë, dënuar nga FIFA.
Laçi minus 6 pikë dhe Pogradeci minus 3 pikë
dënuar nga Komisioni i Disiplinës.
LEONARD KARAJ