Trukimet, Konte: Janë vetëm shpifje

Trajneri i Juves, Antonio Konte
Trajneri i Juventusit, Antonio Konte, i ka quajtur shpifje akuzat për përfshirjen e tij në trukime të ndeshjeve. Emri i teknikut juventin është përmendur nga një i arrestuar për trukime ndeshjesh, sipas të cilit ai është telefonuar, ose i është dërguar një mesazh për të marrë informacione për takimin Siena -Sasuolo. Të tilla deklarata nënkuptojnë se Konte është i përfshirë në trukime ndeshjesh në Itali. Dhe njeriu që është përgjuar duke e thënë këtë është Antonio Belavista. “Nuk ka pasur asnjë telefonatë dhe asnjë mesazh. Si ka mundësi që po bëhet e gjithë kjo zhurmë. Mendoj se ka diçka që po kurdiset ndaj nesh”, tha numri një i stolit bardhezi. Ndërkohë që ai e ka mendjen te sfida e radhës ndaj Palermos dhe thekson se askush nuk do t’u largojë atyre përqendrimin. “Nuk kam pse mbrohem nga asgjë. Unë nuk jam i zhgënjyer, por as i nxehur, ose i befasuar. E gjithë kjo bën pjesë në lojë. Por që unë nuk jam aspak dakord. Nuk pajtohem me të”, deklaroi Konte. Numri një i bardhezinjve tregon momentet kur ai u vu në dijeni me akuzat. “E lexova lajmin që kishte të bënte me mua në disa të përditshme të ndryshme. Më bëri të qesh. I njëjti lajm doli në një gazetë, para 8 muajsh. Kjo të bën të kuptosh shumë gjëra”. Konte shprehet se atij i vjen keq që i është dhënë kaq shumë vëmendje një lajmi të pavërtetë. “Unë stërvit një ekip të madh si Juventus, që ka bërë historinë e futbollit. U kthyem në krye me një punë të madhe, e pas shumë vitesh kemi mundësinë ta shkruajmë historinë. Të tilla çështje jashtë futbollit nuk ma heqin vëmendjen nga fakti që duhet t’i marrë titullin kampion Milanit”, tha tekniku.
Interi, i gjymtuar me Kaljarin
Trajneri i ri i zikaltërve, pasi e ka nisur aventurën tek Interi me fitoren 5-4 ndaj Xhenoas, është i vendosur që të mos humbasë pikë të rëndësishme gjatë rrugëtimit drejt fundit të sezonit. Rikonfirmimi nuk do të jetë aspak i lehtë për të, sidomos duke pasur parasysh mungesat e shumta që ka në skuadër, si për shkak të dëmtimeve, ashtu edhe për shkak të kualifikimeve. Shnajder, Alvarez, Lusuio, Maikon dhe Hulio Sezar nuk do të luajnë në sfidën me Kaljarin. Portieri dhe mbrojtësi brazilian janë të dy të skualifikuar. Fantazisti holandez i Interit vazhdon akoma të ketë probleme muskulore.