Volfarth: Arsimoni fëmijët e komunitetit rom
Arsimi është një instrument për të ndryshuar të ardhmen e komunitetit rom. Këtë deklaratë ka bërë dje, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Komunitetit Rom, kreu i prezencës së OSBE-së në vendin tonë, Eugen Volfarth. Përmes shkollimit të mirë fëmijët romë do të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në botën e të rriturve me shanse të barabarta në shoqëri. Arsimi do të shërbejë për ti hapur rrugën qasjes më të mirë në punësim, si dhe angazhimit të plotë në jetën qytetare dhe atë politike, tha Volfarth. Më tej ai theksoi se ndjekja e shkollës nga ana e fëmijëve romë së bashku me nxënësit e tjerë shqiptarë duhet të jetë në krye të një qëndrimi të integruar për të ndihmuar zhvillimin e këtij komuniteti. Volfarth konstatoi se përqindja e lartë e braktisjes së shkollës nga ana e fëmijëve romë mbetet një shqetësim i madh sepse ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave arsimore të romëve. Volfarth u bëri apel prindërve romë që të jenë plotësisht të vetëdijshëm për rëndësinë dhe vlerën e shkollimit. Deklaratat u bënë gjatë konferencës Minoriteti rom në shoqërinë shqiptare dhe ruajtja e identitetit të tij kulturor. Ajo u organizua nga Unioni Për Zhvillim dhe Integrim të Minoritetit Rom në Shqipëri, si dhe Amaro-Dorm (Unioni i Romëve të Shqipërisë). Gjatë këtij aktiviteti, ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Spiro Ksera, theksoi angazhimin ndaj këtij komuniteti dhe u siguroi atyre strehim. Mbështetja e komunitet rom është një nga prioritetet e qeverisë. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta ka në axhendën e saj si prioritet strehimin e të gjithë pjesëtarëve të komunitetit rom në një kohë sa më të shpejtë, tha Ksera. Sipas tij, fëmijët egjiptianë dhe romë që lypin apo bëjnë punë të tjera, do të largohen përfundimisht nga rruga për tu strehuar në qendrat sociale. Fushata do të nisë së shpejti. Ndërsa zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se në programet e Degës së Mësuesisë do të përfshihet me zgjedhje dhe gjuha rome. Po kështu, Malaj shtoi se dhe në departamentin e gjuhëve ballkanike, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, parashikohet të shtohet gjuha dhe kultura rome e egjiptiane.
Strategjia
Prezenca e OSBE-së ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e plotë të Strategjisë Kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom. Po kështu është kërkuar përmbushja e angazhimeve të Shqipërisë në kuadrin e Dekadës së Romëve, ndërkohë që duhen zhvilluar më tej mekanizmat ekzistues, duke përfshirë këtu nismat qeveritare për pajisjen e fëmijëve romë me libra falas. Me qëllim që ti jepet zgjidhje kësaj çështjeje, prezenca e OSBE-së ka financuar disa projekte në rajone të ndryshme të vendit me synimin për ti pajisur fëmijët romë me materiale shkollore, të cilat përfshijnë, ndër të tjera, libra dhe kompjuterë.