E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: “E shijova fitoren me ish-ekipin tim”

ASA (Albania Sport Agency) - Trajneri i Energie Kotbus, Petrik Sander, nuk e fsheh aspak faktin se Skela ishte një ndër faktorët thelbësore në triumfin (1-3) në transfertë të ndaj Eintraht Frankfurtit vendas. Sander ka meritën e vecantë kur pas disa javësh reflektim hodhi në fushë nga minuta e parë fantazistit shqiptar. "Ishte shumë e rëndesishme për mua t'i jepja sinjalin e duhur Ervinit, ta inkurajoja atë. Dëshiroja t'i tregoja atij, se ti mund t'ia arrish, që ti je në gjendje të na ndihmosh. Bëje këtë, fuqia jote do të vijë", tregon Sander një pjesë nga dialogu me trekuartistin shqiptar. Trajneri është plotësisht i kënaqur me zbatimin e operacionit "Frankfurt", ku Skela me lëvizjet e tij në fushë dhe bashkëpunimin e grupit të lojtarëve kishte një rol të dorës së parë. Por Sander, dëshiron ta "ftohë" shqiptarin, teksa i ruhet shumë edhe një mbingopje të entuziazmit. "Unë nuk dëshiroj ta ngre në qiell Ervinin. E pamë që ishte një futbollist shumë i mirë, por ne gjithashtu dalluam se ai vinte prej një pauze të gjatë. Ai humbi një numër topash, dhe këtë para syve tanë", - shprehet me tone më të ftohta Sander.
Lojtari i Kombëtares shqiptare në fakt, në ndeshjen kundër Eintraht Frankfurtit kishte dy sfida brenda vetes. Të dyja të vështira dhe domethënëse. E para, pasi do të kishte debutimin e tij të parë nga minuta me fanellën e Energi Kotbus, pas pauzës së gjatë të kushtëzuar nga sëmundja, dhe e dyta, luante kundër ish-ekipit të tij, me të cilin kishte shpenzuar tri sezone gjatë karrierës së tij në Gjermani.
Skela vrapoi shumë, e kërkoi gjithmonë topin dhe madje me driblimet e tij plot finesë i la shpesh dy markuesit e tij të gjendeshin keq, edhe pse kondicioni i tij fizik e kufizoi jo pak.
"Cdo ndeshje në Bundesligë për mua është një përjetim i ri për mua. Unë e shijova shumë takimin. Dhe tani që dhe fituam, është thjesht një ndjenjë shumë e bukur", - shpreh Skela për gazetën gjermane "Lautsizer Rundschahu". Por, Skela di të jetë dhe kritik ndaj vetes. "Unë humba më një mënyrë apo tjetër edhe disa topa. Kjo nuk lejohet të ndodhë më".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›