E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela: Goli im erdhi në çastin e duhur

Sipas fantazistit, që mbajti edhe shiritin e kapitenit, Shqipëria nuk u lejua të shfaqte vlerat reale

Përtej asaj që ndodhi në miqësoren me Azerbajxhanin, për Ervin Skelën mund të quhet një sadisfaksion, pasi shënoi golin e 10-të me kombëtaren, duke mbajtur për herë të parë shiritin e kapitenit. Ai përligji më së miri besimin e Hanit, teksa të dy bashkë para miqësores festuan ditëlindjet, ku i pari mbushi 32 vjeç, ndërsa trajneri 60. Megjithatë, humori u prish pas atyre vendimeve të dyshimta të gjyqtarit gjeorgjian. Vetë Skela, në një prononcim pas ndeshjes për mediat azerbajxhanase, nuk ka dashur të ndalet gjatë tek gjykimi, sepse kuptohej që ai ishte dukshëm kundër Shqipërisë. Fillimisht për gazetën "Apasport", fantazisti kuqezi flet për golin e barazimit në minutën e 11-të.

"Erdhi pikërisht në çastin e duhur dhe na çliroi nga presioni i kundërshtarit. Goli më dha kënaqësi, por kjo ishte meritë e të gjithëve. Ishte një kombinacion i besimit që kanë repartet me njëri-tjetrin. Krosi erdhi nga një mbrojtës, asisti nga një sulmues dhe unë bëra detyrën, duke shënuar,"- ka thënë Skela. Mesfushori me eksperiencë, që aktualisht aktivizohet me Energia Kotbusin në Bundesligë, vuri në dukje forcën e Shqipërisë, që sipas e tregoi pas pësimit të një goli të dyshimtë në fillimin e ndeshjes.

"Jemi një skuadër e fortë dhe mund ta fitonim këtë ndeshje, nëse gjithçka do të shkonte ashtu siç filloi. Azerbajxhani m'u duk një skuadër me mirë, po gjykimi nuk na lejoi t'i shfaqnim të gjitha vlerat. Pra, gjyqtari u tregua edhe më i fortë se ekipi kundërshtar,"- theksoi futbollisti vlonjat.

------------------------------------------Berisha: Gjyqtari na vrau lojën

Edhe biondi i kombëtares, Besart Berisha, ka dhënë një mendim pas ndeshjes për mediat vendëse, ku natyrisht, si të gjithë kuqezinjtë, është fokusuar te gjykimi. "I vetmi minus i kësaj ndeshjeje, ishte gjykimi. Arbitri bëri gjithçka që deshi për të na e vrarë lojën. Në pjesën e dytë thuajse nuk luajtëm fare, pasi ishim të nervozuar nga ato vendime të padrejta,"- pohoi sulmuesi kuqezi, që dha asistin e golit të barazimit. Ndërkohë, duke lënë pas vendimet e gjyqtarit, kombëtarja azerbajxhanase i la përshtypje të mirë Berishës.

---------------------------------------------------Gjyqtari, reagon Federata e Gjeorgjisë

Pas ankesave të kombëtares shqiptare për gjykimin e gjeorgjianit, Lasha Silagava, në miqësoren me Azerbajxhanin, ka reaguar Federata e Futbollit të Gjeorgjisë. "Nuk e mohojmë gabimin e gjyqtarit. E pranojmë ankesën e FSHF së, por ne e dërguam Lasha Silagavën për më mirë, pasi ai është një arbitër me eksperiencë i FIFA s. Megjithatë, këto janë gabime njerëzore që ndodhin. FSHF ja ka të drejtën e ankimimit, por nuk besojmë se FIFA do ta dënojë gjyqtarin tonë,"deklaroi shefi i komitetit ekzekutiv të Federatës së Gjeorgjisë, Amiran Kacahixe, për mediat azere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›