E Shtunë, 31 Tetor 2026

E tepruar të mbyllësh derën për disiplinë në një Universitet

Në universitetin e Elbasanit dje u zbatua një urdhër që m’u duk absurd. Dyert e universitetit u mbyllën në orën tetë fiks, për t’u hapur pas një ore, e për t’u mbyllur sërish në fillim të orës tjetër. Roja që qëndronte brenda e ne jashtë në të ftohtë, pas insistimit të vazhdueshëm na tha se ky është urdhër.

Përse duhet një urdhër i tillë në një vend të mbushur me njerëz të rritur? Dikush tha për disiplinë! Secili prej nesh duhet të mësohet me rregulla dhe orare, por besoj se kjo provë i takon fillores dhe fëmijërisë. Ma do mendja se në universitet, studentë e pedagogë, jemi aq të rritur sa ta kuptojmë diçka të tillë. Në rastet kur ne nuk zbatojmë rregullat, kjo nuk vjen ngaqë nuk i dimë ose jemi të papërgatitur për ta, por thjesht nuk duam.

P.sh., në disiplinim do të ndikonte jo pak edhe një urdhër tjetër më i rëndësishëm se dera e mbyllur: Rregulli që ekziston mbi një numër të caktuar mungesash e më pas humbet provimin, të jetë funksional dhe jo vetëm ca bojë e zezë mbi një fletë të bardhë.

Të mbyllësh portat e dijes, ta përgjithësosh këtë për tërë studentët, s’më duket normale. Nuk bëhet fjalë për persona të rrezikshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›