Skela: “Hungaria, një provë e madhe e Kombëtares”Fantazisti bën autokritikë: “Të mos përsërisim gabimet e Maltës”. Ervini kundër hungarezëve do të luajë ndeshjen e tij të 60-të si kuqezi

Shqipëria A nisi zyrtarisht, në drejtimin e trajnerit Ari Han, përgatitjet për ndeshjen ndërkombëtare kundër Hungarisë (28 mars 2009, në “Qemal Stafa”). Fantazisti Ervin Skela, kundër Hungarisë do të festojë ndeshjen e tij të 60-të me Kombëtaren shqiptare, duke qenë kështu lojtari i dytë me më shumë ndeshje pas Altin Lalës (70) në grupin e lojtarëve aktualë. Mesfushori 32-vjeçar i Energi Kotbusit në Bundesligën gjermane, gjatë një interviste për televizionin prestigjioz “Vizion Plus”, pohoi se ende i djeg barazimi i bardhë kundër Maltës, por që prodhoi, sipas tij, edhe efekte pozitive.
“TË MOS PËRSËRISIM GABIMET”
“Të gjithë lojtarët dhe tifozët jemi shumë të zhgënjyer nga ajo ndeshje shumë e dobët. Megjithatë, do të thosha se nga ajo ndeshje kemi mësuar shumë gjëra. E pamë edhe njëherë se ne, nëse nuk do të jemi të gjithë bashkë, nuk do të prezantohemi si një grup i vetëm, do të kemi probleme me çdo skuadër në Europë. Shpresoj të mos i përsërisim gabimet”, - tha Ervin Skela, i cili në mungesë të Altin Lalës e Lorik Canës (të dy të dëmtuar), ishte kapiteni i Shqipërisë në takimin kundër Maltës. “Dua ta ritheksoj edhe njëherë se ato gabime që ndodhën me Maltën, të mos i përsërisim. Hungaria është një tjetër provë, për të bindur publikun tonë se ne dimë të luajmë mirë përballë skuadrave të mëdha dhe se nuk do të përsëritet më, sidomos pjesa e dytë që bëmë kundër Maltës”.
“NJË PROVË E MADHE”
“Të gjithë e dimë se ndeshja kundër Hungarisë është shumë e rëndësishme. Duhet të përpiqemi ta marrim këtë ndeshje me shumë seriozitet. Ta përgatisim me durim. Brenda 90 minutave lojë mund të ndodhin shumë gjëra. Megjithatë, ne jemi të përgatitur që kësaj sfide t’i dalim në ballë”, - theksoi Skela, i cili përcolli në një farë mënyre edhe frymën që ekziston brenda grupit. Pas Hungarisë, një kundërshtar që pranohet nga të gjithë si i barabartë me ne, Shqipërisë i duhet të përballet sërish me gjithë kundërshtarët e mëdhenj të grupit 1: Danimarkën (2 herë, Tiranë e Kopenhagen), Portugalinë (Tiranë), Suedinë (Stokholm).
“KYÇI I ELIMINATOREVE”
Hungaria është i vetmi ekip që i ka shkaktuar Shqipërisë humbjen e vetme në pesë ndeshjet e para të luajtura për eliminatoret e Botërorit. “Hungaria është shansi i madh për ne, por dhe ndaj skuadrave të tjera të mëdha ne kemi treguar se dimë të luajmë si të barabartë. Edhe atëherë kur kemi deklaruar se kundërshtari është më i fortë ose emri është më i madh, kemi marrë pikë kundër Suedisë (0-0) e Portugalisë (0-0). Ndeshja kundër Hungarisë është për mua kyçi i eliminatoreve”.
“NGA MINUTA E PAR˔
Shqipëria, gjatë pesë ndeshjeve të para ka zhvilluar dy ndeshje të mëdha kundër Suedisë e Portugalisë dhe dy ndeshje nën mesatare kundër Hungarisë (në Budapest) dhe Maltës (në La Valeta), duke dëshmuar se kundër skuadrave që konsiderohen si të barabarta nuk arrin të shfaqë plotësisht karakterin e lojës së saj. “Kundër Hungarisë në Budapest pjesën e parë ishim jo të barabartë, por unë do të thosha se ne ishim shumë më mirë se kundërshtari. Nëse do të kalojmë edhe njëherë tjetër momentet e asaj ndeshjeje, në qoftë se ajo shtyllë (e Skelës) e goditur, do të realizohej gol e ne do të ishim në avantazh, atëherë të jeni të bindur se Hungaria do ta kishte të vështirë për ta kthyer ndeshjen. Tani, për ndeshjen e kthimit në Tiranë, duhet ta përgatisim mirë takimin nga minuta e parë. Duhet të punojmë gjatë gjithë javës për këtë. Jam i bindur se trajneri (Han) do të gjejë motivimin e duhur për të gjithë lojtarët. Ne jemi lojtarë profesionistë dhe duhet ta dimë se kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të gjithë publikun shqiptar”, - tha Skela, i cili ka një përvojë të gjatë ndërkombëtare si kuqezi, por dhe lojtar i 9 ekipeve të huaja, tetë në Bundesligë e një në Itali (Ascoli).
“TË DASHURUAR ME GOLIN”
Holandezi 60-vjeçar Ari Han dha një sinjal të qartë se “Malta” i ka djegur shumë dhe se nuk pyet më për emra e senatorë, teksa kërkon me çdo kusht golin kundër Hungarisë. Vetëm 3 të tillë në 450 minuta lojë (të tre në fitoren 3-0 kundër Maltës) tregojnë varfërinë e ofensivës kuqezi, edhe pse jemi përballur me ekipe të tilla si Portugalia e Suedia. Sulmi është reparti që “çalon” më shumë se kushdo tjetër, pasi mbrojtja jonë ka pësuar vetëm 2 gola në pesë takime. Tri ndeshje pa gol: kundër Hungarisë (0-2), Portugalisë (0-0) e Maltës (0-0). Nëse nuk shënon, nuk mund të fitosh dot kurrë ndeshjen. Në takimet e fundit ne kemi pasur probleme, pavarësisht se rastet për gol kanë qenë. Mendimi im është se ne duhet të jemi më shumë të dashuruar me golin. Sulmuesi duhet të jetë me ‘inatin’: do të futem në fushë dhe duhet të realizoj patjetër një gol. Shpresoj që këtë herë të ndodhe ndryshe”, - theksoi Skela, i cili ka realizuar për herë të fundit me Shqipërinë, në barazimin 1-1 në miqësoren kundër Azerbajxhanit në Baku.
“BOGDANI KA VLERA”
Trajneri Ari Han nuk thirri Erjon Bogdanin (49 ndeshje, 9 gola) për ndeshjet kundër Hungarisë e Danimarkës. Në vend të tij holandezi thirri Migen Memellin, golashënuesin më të mirë të kampionatit shqiptar (14 gola). Sulmuesi i Tiranës është së bashku edhe me Besart Berishën (13 ndeshje, 2 gola), Hamdi Salihin (10 ndeshje, 1 gol) dhe Xhevair Sukajn (1 ndeshje, 0 gola) në repartin ofensiv të Kombëtares. “U informova vetëm kur doli lista e plotë se Bogdani nuk do të ishte. Me sinqeritet po them se u befasova kur nuk pashë emrin e tij. Ka vlera dhe unë kam bindjen se Shqipëria ka nevojë për lojtarë si Erjon Bogdani. Shpresoj se do të thirret në ndeshjet e ardhshme. Në javët e fundit ai ka luajtur, madje javën që kaloi shënoi gol (kundër Lacios). Bogdani ka kaluar një kohë pa shënuar dhe te sulmuesit ndihet më shumë psikologjikisht kjo. Mësova që edhe të dielën (kundër Palermos) ka luajtur shumë mirë”, - tha Skela, i cili shtoi se me sulmuesin e Kievos i lidh një miqësi e gjatë.
“SINDROMA BJELLORUSIA”
Në fakt, në jo pak raste, sa herë që futbollistët janë shprehur entuziastë për të fituar ndaj një kundërshtari të caktuar, ka ndodhur e kundërta. Skela tha: “Në momentin kur jo vetëm ne si lojtarë, tifozët, apo ata që merren me sportin, flasim shumë përpara ndeshjes ‘do ta fitojmë këtë ndeshje’, aty kemi bërë hapin tonë të gabuar. Kjo ndodhi edhe me ndeshjen kundër Bjellorusisë (të humbur 2-4 në “Qemal Stafa”. Në momentin kur ata kaluan në avantazh, të gjithë futbollistët u demoralizuan nga kjo ndeshje. E njëjta gjë ndodhi edhe me Maltën. Duhet të kemi shumë durim, pasi ndeshjen mund ta zgjidhim edhe në minutën e 89-të”, - tha Skela. Në fakt, tre golat e fundit kundër Maltës u shënuan në minutën e 45-të (Bogdani) dhe në të 83’ (Duro) e në të 89’ (Dallku).
“HUNGARIA, E RREZIKSHME”
“Duhet të pranojmë se Hungaria është një ekip i mirë. (Pal) Dardai është një futbollist me të cilin kam luajtur para dy javësh (kur Kotbusi i Skelës u përball me Dardain e Hertës), ai është një lojtar i mirë, pasi është pjesë e Hertës, që kryeson edhe Bundesligën (gjermane). Këtë sezon ai ka fituar më shumë besim te vetja, pasi po aktivizohet më shumë dhe ekipi i tij po shkon. Hungaria ka një organizator shumë të mirë, (Tanash) Hajnal, i cili luan në radhët e Borusias së Dortmundit. Është një ish-lojtar i Hanoverit (Zsabols Huzti), që tani luan me Zenit Sënt Petërsburgun. Janë lojtarë të rrezikshëm. Po të shikosh lojtarët e tyre, dikush luan në Angli apo në ekip shumë të mira. Duhet të kemi besim në forcat tona, por të kemi kujdes që dhe kundërshtarit të mos i japim mundësi të na godasë”, - tha Skela, i cili së bashku me Altin Lalën, janë dy futbollistët shqiptarë që luajnë në Bundesligë.
RIKTHIMI I KAPITENËVE
Shqipërisë i janë rikthyer, pas mungesës së detyruar kundër Maltës (me dëmtime), dy kapitenët zyrtarë të saj, Altin Lala (70 ndeshje me përfaqësuesen, 3 më pak se rekordmeni Foto Strakosha) dhe Lorik Cana (35 ndeshje), në superformë parë dhe performancat e mesfushorit shkatërrues kundër Ajaksit në Kupën UEFA dhe Paris Sën Zhermenit në kampionatin francez, ku Loriku shënoi edhe një gol në fitoren 3-1 të Marsejës. Ervin Skela ishte kapiteni i Shqipërisë në ndeshjen kundër Maltës.
E ARDHMJA E SKELËS
Ervin Skela para pak javësh rinovoi edhe për dy vjet të tjera kontratën me skuadrën e tij, Energi Kotbusin. Por cila është e ardhmja e tij pasi të “varë këpucët në gozhdë”? “Patëm bisedime të gjata me klubin dhe kishim kohë që e kishim fiksuar kontratën. Nuk jam në moshë 20-vjeçare. Vendosëm se nëse Kotbusi do të bjerë nga kategoria, unë shpresoj që jo, atëherë në Kategorinë e dytë kontrata do të ishte me shifra jo të kënaqshme. Kategoria e dytë nuk të paraqet ato mundësi që të jep Bundesliga”.
E Marte, 24 Mars 2009