Skela, sherr me bullgarin Angelov
Pavarësisht fitores së regjistruar gjatë fundjavës së kaluar në fushën e Borusia Mynshengladbah, situata tek Energie Kotbus vazhdon të jetë e tensionuar. Kjo konfirmohet nga problemi më i fundit që ka pasur sërish si protagonist mesfushorin shqiptar, Ervin Skela. Gjatë stërvitjes së djeshme, lojtari i Kombëtares kuqezi debatoi ashpër me bullgarin Stanislav Angelov. Sipas burimeve pranë klubit së Bundesligës, gjithçka ka nisur pasi 32-vjeçari Skela e tërhoqi lehtë nga bluza shokun e tij të skuadrës. Pak çaste më vonë, Angelov kundërpërgjigjet me një ndërhyrje të ashpër dhe krejtësisht të panevojshme, që solli edhe reagimin e Skelës. Debati i ashpër ndërmjet dy titullarëve të Kotbus e detyroi trajnerin Prasnikar të ndërhynte: ai ndaloi për disa minuta stërvitjen dhe tentoi të qetësojë lojtarët. Pas bisedës me drejtuesin e stolit, mesfushori vlonjat u largua nga fusha duke çaluar. Vetëm pak javë më parë, Ervin Skela ka debatuar edhe me bullgarin tjetër, Dimitar Rangelov.