Skema e Granteve, Ibrahimaj: Biznesi dyfishon klientët dhe punonjësit, rrit të ardhurat

TIRANË, 21 gusht/ATSH/ Mbështetja për sipërmarrjen përmes Skemës së Granteve 2024–2025 po sjell rezultate konkrete në bizneset përfituese, duke nxitur rritjen e aktivitetit ekonomik dhe zgjerimin e tyre.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se “Recycling Albania” është një prej shembujve të kësaj rritjeje, duke shënuar përmirësime të ndjeshme pas përfitimit nga skema e financimit.
Sipas të dhënave të publikuara nga ministrja, të ardhurat e kompanisë janë rritur nga 30% në 40%, ndërsa numri i klientëve është dyfishuar, nga 30 në 60. Paralelisht, edhe numri i punonjësve është rritur nga 3 në 6.
“Pas çdo financimi qëndron një histori rritjeje”, theksoi Ibrahimaj, duke vënë në dukje se mbështetja e orientuar drejt biznesit mund të përkthehet në rezultate konkrete dhe të matshme.
Rasti i këtij biznesi dëshmon ndikimin e skemave të mbështetjes në zgjerimin e aktivitetit të sipërmarrjeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe rritjen e kapaciteteve të tyre.
Ibrahimaj tha se Skema e Granteve 2024–2025 synon të mbështesë sipërmarrjet në zhvillimin dhe konsolidimin e aktivitetit të tyre, duke kontribuar në rritjen e konkurrueshmërisë dhe zhvillimin e ekonomisë.
/e.xh/j.p/r.e/