E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja ARRSH, GJKKO cakton detyrim paraqitje për dy ish-zyrtarët Gentian Gjyli dhe Erald Elezi

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj ish-kreut të ARRSH-së, Gentian Gjyli, duke e zëvendësuar “arrestin në shtëpi” me masën “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Vendimi u shpall këtë të premte nga gjyqtarja Alma Kodraliu, pas kërkesës së Gjylit për shuarjen e masës së sigurisë. Ai lirohet nga arresti në shtëpi pas rreth nëntë muajsh.

I njëjti vendim është marrë edhe për ish-drejtorin e KESH, Erald Elezi. Edhe për të, masa e “arrestit në shtëpi” është zëvendësuar me “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Elezi po hetohet nga SPAK në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, ndërsa Gentian Gjyli ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Drejtorisë së Ndërtimit dhe Mirëmbajtjes në ARRSH.

Të dy janë nën hetim për dyshimet lidhur me veprën penale të “shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera”.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›