Skema e investimeve në bujqësi, Kuçi: Aplikimet për grante nga data 30 shtator deri më 8 nëntor

TIRANË, 26 shtator /ATSH/ Aplikimet për Skemën Kombëtare të Investimeve në Bujqësi 2024, hapen në datën 30 shtator dhe do të vijojnë deri më datën 8 nëntor të këtij viti, për të gjithë fermerët dhe subjektet që duan të investojnë në prodhimin bujqësor në serra; blegtori, akuakulturë; makineri bujqësore, rrjeta antibreshër.
Lajmin e bëri të ditur drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Ardita Kuçi, e cila zbardhi detaje mbi kriteret dhe zbatimin e skemës së re në mbështetje të fermerëve dhe bujqësisë.
Sipas saj, pas aplikimit fermerët ose subjektet i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, për të parë nëse ka ndonjë mungesë dokumentacioni dhe më pas vijohet me kontrollin në terren.
Kuçi vuri në dukje se, fermerët që përmbushin kontrollin administrativ dhe atë në terren, nënshkruajnë kontratën për grantin, përkundrejt një polici sigurimi apo një garancie bankare, duke pasur mundësinë që të marrin 30 % të fondit parapagesë.
Ky parapagim u jep atyre më shumë likuiditet që të vijojë punimet në investimin e parashikuar dhe më pas marrin vlerën tjetër prej 20%.
“I japim përparësi fermerëve në moshë të re si dhe investimeve në sipërfaqe të mëdha, me synim zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit” tha ajo.
Skema Kombëtare e Investimeve me një fond 500 milionë lekë, ka si qëllim nxitjen e zhvillimit dhe modernizimit të sektorit bujqësor përmes mbështetjes financiare me 50% të vlerës së investimit grant, duke mbështetur zhvillimin dhe rritjen e bujqësisë së qëndrueshme.