MOSKË – Kremlini: Zelensky po bën “gabim fatal” duke detyruar Rusinë të bëjë paqe

MOSKË, 26 shtator /ATSH/- Rusia tha se plani i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për ta detyruar atë të bënte paqe ishte një “gabim fatal” që do të kishte pasoja për Kievin, sipas Reuters.
Zelensky i tha të martën Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se – lufta midis Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të qetësohej vetëm me bisedime dhe se Moska duhej të detyrohej të bënte paqe.
“Një pozicion i tillë është një gabim fatal, një gabim sistemik. Ky është një keqkuptim i thellë që do të ketë pasoja të pashmangshme për regjimin e Kievit”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një telefonatë me gazetarët.
Peskov tha se Rusia dëshironte paqen, por çështja nuk mund të detyrohej.
“Një pozicion i bazuar në një përpjekje për të detyruar Rusinë të bëjë paqe është një gabim absolutisht fatal, sepse është e pamundur të detyrosh Rusinë”, tha ai.
“Rusia është një mbështetëse e paqes, por me kusht që të sigurohen themelet e sigurisë së saj”, theksoi Peskov.
Presidenti rus tha në qershor se Rusia do t’i jepte fund luftës në Ukrainë – vetëm nëse Kievi pranonte të mos bashkohej me NATO-n dhe të dorëzonte katër rajonet e pretenduara nga Moska, kërkesa të cilat kërkesa të cilat Kievi i refuzoi menjëhere.
Sipas Ukrainës dhe aleatëve të saj, Putini nuk duhet të lejohet të fitojë luftën – pasi nëse nuk ndalej – ai do të kërcënonte edhe shtetet e tjera fqinje.
Putini e ka cilësuar konfliktin si një luftë ekzistenciale për Rusinë, ndërsa ka mohuar interesin për zgjerimin e luftës në vende të tjera. //a.i/