E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re e sigurimit të makinave sipas vjetërsisë së shoferit dhe automjetit

sigurimi i makinaveAutoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka prezantuar skemën e re të sigurimit të detyruar të automjeteve. Tashmë kostoja do të llogaritet në bazë të rrezikshmërisë, çka pritet të ulë numrin e aksidenteve në vendin tonë. Sipas projektit të ri që është hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore, sigurimi i automjeteve nuk do të vazhdojë të jetë unik por individual. Kjo do të thotë që kompanitë e sigurimit për çdo rast do të marrin parasysh historikun e drejtuesit të mjetit ku futet; vjetërsia apo eksperienca e shoferit; mosha e tij; distanca kilometrike që përshkon automjeti (përse përdoret); shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor, apo edhe dëmet dhe aksidentet që një makinë apo një drejtues i caktuar mund të ketë pasur në të kaluarën.
Skema e re
Ditën e djeshme gjatë konferencës për shtyp edhe drejtoresha e AMF-së Enkeleda Shehi u shpreh se me projektin e ri tashmë shqiptarët do të paguajnë siguracion individual për makinat në bazë të historikut të tyre personal dhe rrezikshmërisë që paraqesin në rrugë. Për më tepër kjo formë e re për sigurimin e makinave, përafron sistemin tonë të siguracionit me atë të shumë vendeve të tjera, që ka rezultuar me përgjysmim të aksidenteve. Një skemë e ngjashme zbatohet me sukses në Itali që prej vitit 1994.
Tarifat
“Këto çmime duhet të jenë të tarifuar drejt dhe kjo pritet të sjell një reduktim të aksidenteve. Këto tarifa duhet të lidhen me përvojën e tij personale (drejtuesit), mënyrën se si ai e realizon drejtimin e mjetit, parametrat e mjetit, me moshën dhe me disa specifika për të sjellë një çmim që është ai i duhuri për personin që drejton makinën”, shprehet Enkelejda Shehi, drejtoreshë e AMF-së. Projekti i propozuar është hartuar me asistencën e Bankës Botërore dhe mbi bazën e përvojave të vendeve evropiane. Primi i sigurimit të mjetit individual ka pasur rezultate mjaft pozitive në këto vende dhe ka disiplinuar në maksimum drejtuesit e automjeteve. AMF bën të ditur se ky sistem ju është rekomanduar kompanive për tu ndjekur, por zbatimi i plotë do të jetë proces, pa një afat të prerë kohor. Për më tepër AMF kërkon që sigurimi i detyrueshëm të zgjerohet edhe në profesione të tjera të ekspozuara ndaj rreziqeve të ngjashme, si për shembull në Policinë e Shtetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›