Skema kombëtare 2026- Matrikullimi i bagëtive, kusht kryesor për përfitimin e mbështetjes

Në ditët në vijim pritet të hapet procesi i aplikimeve për skemën kombetare 2026, një program mbështetës që synon të ndihmojë fermerët dhe blegtorët në rritjen e prodhimit dhe përmirësimin e kushteve të fermave.
Në lidhje me këtë proces, përgjegjësi i sektorit veterinar në Kukës, Bajram Peposhi, thekson rëndësinë e përgatitjes së fermerëve për të aplikuar në mënyrë korrekte sapo të hapet skema.
Ai rekomandon që çdo fermer që pritet të aplikojë duhet të sigurojë që bagëtitë të jenë të matrikulluara dhe të regjistruara, pasi ky është një kusht kryesor për përfitimin e subvencioneve.
“Të gjithë veterinerët e shërbimit dhe të kontrollit janë në terren duke verifikuar dhe rekorduar numrin që janë në fermë me numrin që është gjendje”, tha ai.
Gjithashtu, ai paralajmëron se fermerët që aplikojnë pa pasur bagëtitë e matrikulluara mund të përballen me penalizime pas verifikimeve që do të kryhen në ferma.
Fokusi i Skemës Kombëtare kësaj here është përqendruar në sektorin e blegtorisë, duke përgjysmuar numrin e bagëtive që duhet të ketë një blegtor.
Njëkohësisht është dyfishuar edhe mbështetja për biletën. Një tjetër kriter shumë i rëndësishëm është edhe shlyerja e detyrimeve të sigurimeve shoqërore; pa derdhjen e këtyre kontributeve, bujku nuk ka të drejtë të marrë subvencione nga ky program.
Gazetare: Sh. Elezaj
/rtsh.al/