E Hënë, 2 Nëntor 2026

I pasionuar pas bletarisë, Sokol Tane nga Kolonja prej 15 vjetësh mbarështon 150 koshere

Sokol Tane është një njeri i apasionuar pas bletarisë.

Prej 15 vjetësh në fshatin e tij në Vodicë të bashkisë Kolonjë, ai merret me bletari, duke e kthyer pasionin në profesion.

Ai shprehet se kujdesi i treguar për bletën është shumë i madh, sidomos për sa u përket sëmundjeve të ndryshme, të cilat nëse nuk kurohen në kohë rrezikojnë të dëmtojnë të gjithë parkun.

“Kam gati 15 vjet që merrem me mbarështimin e bletëve. Nuk e kam pasur traditë të hershme. Prindërit e mi kanë qenë blegtorë e bujq. E shoh si pasion të pazbuluar, por e kuptova që jam adapt për këtë punë. Kam rreth 150 koshere. Ato kanë varësi nga koha, kushtet atmosferike, nga shirat që bien gjatë pranverës e verës,” tregon z. Tane.

Më tej ai bën me dije se kushtet e favorshme atmosferike këtë vit kanë rritur sasisë e prodhimit, por problemi mbetet tregu.

“Problemi i mjaltit është më ndryshe nga vitet e tjera. Sivjet ka pasur prodhim më të mirë. Të shpresojmë që edhe vitet e ardhshme të jenë si ky. Tregu, ndërkaq, siç është Shqipëria. Kemi miqtë dhe shokët tanë, kemi njerëz që vijnë nga emigracioni dhe e kërkojnë shumë mjaltin tonë,” thotë bletërritësi.

Përveç nxjerrjes së mjaltit me interes është dhe qumështi i bletës, i cili ka vlera të larta kuruese dhe është shumë i kërkuar nga tregu.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›