E Hënë, 2 Nëntor 2026

Skemat mbështetëse në bujqësi – Qeveria çel aplikimet, fermerët kanë afat deri në 30 shtator

Qeveria shqiptare ka çelur skemat e investimeve në bujqësi duke propozuar 9 masa, në të cilat mund të aplikojnë fermerët duke përfituar në të gjitha 50 për qind të vlerës së investimit.

Bëhet fjalë për ndërtimin e serave ku sipërfaqja minimale duhet të jetë 0,2 Ha, investime në mbjelljet e reja të pemëve frutore, ullinjve agrumeve dhe vreshtave me sipërfaqe jo më pak se 0,5 Ha, rrjetat anti-breshër në sipërfaqe më shumë se 1 Ha, sistemi i ujitjes me pika në sipërfaqe më shumë se 1 Ha, ndërtimi i ambienteve të reja për mbarështimin e kafshëve e shpendëve, mbështetje për mekanikën bujqësore e blegtorale, mbështetje për linja, makineri e pajisje për përpunimin, seleksionimin, paketimin e etiketimin e perimeve, frutave, rrushit e verës, ullirit e vajit të ullirit, si dhe mbështetje për investime në agroturizëm.

Të gjithë fermerët që duan të investojnë, por nuk kanë mundësi ekonomike mund të marrin edhe kredi të butë me 2% interes.

“Që nga dita e djeshme dhe deri më 30 shtator, pra për rreth 2 muaj kemi skemën e investimeve  që qeveria dhe Ministria  e Bujqësisë ka lancuar, e cila ka të bëjë në disa skema. Sa i përket pjesës së fermerëve që nuk do ta kenë mundësinë e tyre ekonomike që të plotësojnë 50 për qindshin e investimit të tyre, qeveria ka lancuar edhe skemën e marrjes së kredive të buta , me një interes prej 2 për qind. Sa i përket pjesës kolaterale, mbështetet deri në 70 për qind të pjesës kolaterale nga qeveria shqiptare”, nënvizoi Vullnet Gjolla, Drejtor i AREB Korçë.

Zyrat e Agjencisë Rajonale të ekstensionit bujqësor në Korçë janë të hapura për të ndihmuar të gjithë fermerët të cilët duan të aplikojnë dhe të përfitojnë nga këto skema, të cilat do të vazhdojnë të jenë të hapura për dy muajt në vazhdim, ndërkohë dorëzimi i dosjes së aplikimit do të bëhet pranë Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural në Tiranë.

Gazetare:  K. Koçi

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›