Thellohet deficiti i skemës së pensioneve, Ministria e Ekonomisë kërkon para shtesë për të mbuluar rritjen

Kontributet nuk mjaftojnë më për të mbuluar të gjitha pagesat e pensioneve në vend. Ministria e Ekonomisë kërkon 12 milionë euro shtesë për vitin 2026-të për të mbushur arkën e skemës së pensioneve.
Në Programin Buxhetor Afatmesëm, ministria paralajmëron se të ardhurat nga kontributet shoqërore do të mbulojnë vetëm 75% të totalit të shpenzimeve për pensionet.
“Tregon që kjo skemë akoma dhe më tepër po bëhet e vështirë për t’i përballuar interesat e qytetarëve”, thotë Kujtim Hoxha, ekspert i skemës së Sigurimeve Shoqërore.
Tregues i qëndrueshmërisë së skemës është raporti kontribues përfitues.
“Sot kontribuojnë 111 vetë dhe marrin pension 100 vetë, nga 117 që ka qenë para dy vitesh. Kjo tregon që skema vjen gjithmonë duke u përkeqësuar”, shprehet Hoxha.
Hoxha sugjeron marrjen e disa masave për adresimin e situatës.
“Qeveria shqiptare duhet të marrë masa urgjente që qytetarët shqiptarë të mësohen të paguajnë sigurime shoqërore, të mos punojnë në informalitet. Kjo është hapi i parë. Si hap i dytë do të gjykoja që në Skemën e Sigurimeve Shoqërore të funksionojnë dhe forma të tjera, jo vetëm kjo shtetërore”, thotë ai.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave buxheti për programin ‘Sigurimi shoqëror’ në 2026-ën do të jetë 463 milionë euro nga 408 milionë euro këtë vit, duke dëshmuar nevojën që do të ketë skema e pensioneve për financim nga buxheti i shtetit.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/